Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimet e karburanteve në vend ulen me 6-8 lekë për litër

Çmimet e tregtimit me pakicë të karburanteve kanë shënuar një rënie të lehtë gjatë ditëve të fundit, me 6-8 lekë për litër.

Në pikat e shitjes së Katrati, operatori më i madh i tregtimit të pakicës dhe shumicës së karburanteve, një litër naftë tregtohet me 169 lekë dhe po kaq dhe benzina, nga përkatësisht 176-177 lekë që ishte më parë.

Në pikat e tregtimit të Eida, i dyti më i madh nafta shitet me 170 lekë dhe benzina me 171 lekë, nga 176-177 lekë që ishte më parë ky produkt.

Bolv Oil e tregton me 170 lekë, Gega Oil me 167 lekë, ndërsa tek operatorët e tjerë nafta luhatet mes 162-168 lekë për litër. Operatorët e tregut pohojnë se ulja ka ardhur si reflektim i rënies në tregjet ndërkombëtare.

Aktualisht në bura, nafta referencë europiane tregtohet me rreth 51 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga janari i vitit 2019.

Luhatja e çmimeve në Shqipëri

Në tetor 2018, nafta në tregun vendas arriti në 182-183 lekë për litër, kur dhe nafta në bursa u ngjit për pak ditë në 80 dollarë për fuçi. Më pas u shënuan dy rënie të njëpasnjëshme në dhjetor dhe janar, duke zbritur në rreth 172-173 lekë, pas në bursa nafta zbriti me shpejtësi, duke iu afruar 50 dollarëve për fuçi.

Nafta u shtrenjtua sërish në tregun vendas në mars, në rreth 176-177 lekë, kur në bursa shkoi për pak ditë në rreth 70 dollarë. Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë ndryshim në tregun vendas, ndonëse në bursa nafta ka qenë përgjithësisht në rënie, me përjashtim të pak ditëve në nëntor, ku iu afrua sërish 70 dollarëve.

Sipas Global Price Petroleum, i cili mat çmimet e benzinës në mbarë globin, Shqipëria ishte e 24-a më e shtrenjta në botë, me të dhënat që janë përditësuar deri në 24 shkurt dhe më e shtrenjta në rajon. Çmimi i lartë i naftës është i lidhur me ngarkesën fiskale, ku rreth 60% të strukturës së tij e përbëjnë taksat.

Nafta në botë

Në botë, nafta zbriti deri në 48.4 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga korriku i vitit 2017, pas shqetësimeve të efekteve të koronavirusit në ekonominë globale. Virusi, i cili e kishte origjinën në Kinë, ka vrarë pothuajse 3,000 njerëz dhe ka ndikuar tregjet globale, telsa investitorët përgatitet për një goditje në rritje globale.

Bursat shënuan rënien më të madhe që nga kriza financiare e vitit 2008 gjatë javës së kaluar, por e morën disi veten të hënën.

Monitor,  03.03.2020