Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bizneset në treg të lirë do paguajnë energjinë e majit me 13.62 lekë/kWh

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur që bizneset e lidhur në 35 kilovolt që kanë detyrimin e sigurimit të energjisë në mënyrë të pavarur por që ende e marrin këtë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit do të paguajnë në maj 13.62 lekë për çdo kilovat të konsumuar. Në vendimin e ERE-s nënvizohet se kjo tarifë ka në përbërje të saj disa elementë përveç tarifës fillestare me të cilën blihet energjia nga FSHU (pjesë e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike). Pavarësisht se është kërkuar një ndarje e kostove administrative ERE thekson se OSHEE ka bërë me dije se ndodhet në kushte të pamundura për të bërë këtë ndarje.

Kështu ERE ka pranuar kosto administrative për njësi në masën 1.79 lekë/kWh, tarifë përdorimi të rrjetit të transmetimit 0.75 lekë/kWh dhe tarifë përdorimi të rrjetit të shpërndarjes 1.5 lekë/kWh. “Në përfundim, nga verifikimi i informacionit dhe përllogaritjeve të paraqitura nga Shoqëria “OSHEE” sh.a. rezulton se, çmimi për shitjen e energjisë elektrike për klientët në kushtet e FMF për muajin Maj 2019 është 13.62 Lekë/kWh” thuhet në vendimin e ERE.

Në janar të këtij viti ky grup biznesi që ende nuk ka gjetur një furnizues dhe që merr energjinë nga OSHEE pagoi edhe çmimin më të lartë që nga nisja e procesit të liberalizimit që ishte shkurti 2018. Ky çmim ishte gati sa dyfish i atij që paguante më herët kur furnizohej nga OSHEE në tregun e rregulluar. Konkretisht në muajin janar 2019 kompanitë paguan 1 kilovat/orë energji me një çmim 18.73 për qind. Më herët rekordin si çmimi më i shtrenjtë mbahej në muajin dhjetor 2018 me 15.22 lekë/kWh. Por si ka vijuar viti 2019 për bizneset në tregun e lirë?

Në muajin shkurt të njëjtat biznese, mbi 70 subjekte , që ende marrin energji nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit paguan një kilovat/orë energji me 13.92 lekë. E njëjta tendencë është shënuar edhe për marsin dhe prillin kur çmimi është luhatur pak më shumë se 13 lekë.

Monitor,  13.06.2019