Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bizneset në treg të lirë do e paguajnë energjinë e marsit me 13.4 lekë/kWh

Bizneset e lidhur në 35 kilovolt dhe që duhet ta siguronin vetë energjinë elektrike, sikurse e kërkon ligji, por që ende furnizohen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, do të paguajnë për marsin çmimin 13.4 lekë për çdo kilovat të konsumuar. Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë javë çmimin final me të cilën do të faturohen bizneset që marrin energjinë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit që rezultoi disi më i lirë se ai i muajit paraardhës.

Në shkurt, për këtë grup, ERE miratoi çmimin prej 13.92 lekë/kwh. Nga fillimi i procesit të daljes në tregun e lirë të bizneseve të lidhur në tension 35 kilovolt që ishte në shkurt 2018 e deri më tani, muaji me çmimin më të kripur të energjisë ishte janari 2019 me 18.73 lekë/kilovat/orë gati dy herë më i lartë se çmimi me të cilin këto biznese e blinin energjinë kur ishin në tregun e rregulluar.

Referuar të dhënave të vitit të shkuar në dhjetor 2018, bizneset e lidhura në 35 kilovolt paguan një tarifë 15.22 lekë/kwh, ndërsa që në tetor dhe nëntor, të njëjtat biznese paguan 16 lekë/kwh. Këto të fundit ishin edhe dy muajt më të shtrenjtë me të cilin bizneset blenë energjinë në 2018. Gjatë korrik, gusht dhe shtator, çmimi i energjisë për këtë kategori u caktua 12.86 lekë kwh ndërsa nga janari në qershor u luhat mes 9.5 dhe 9.82 lekë kwh.

Sipas kërkesave të kuadrit ligjor që zbatoi vendi ynë lidhur me modelin e ri të tregut, një pjesë e bizneseve pritet të dalin në tregun e lirë për të siguruar të vetëm energjinë. Fillimisht këtë e nisi grupi i bizneseve të lidhura në 35 kilovolt që në total ishin rreth 90, ndërkohë që vetëm 12 prej tyre kanë lidhur marrëveshje me furnizues dhe e blejnë këtë energji vetëm. Pjesa tjetër vijojnë të furnizohen nga OSHEE dhe saktësisht nga njësia që shërben si mundësi e fundit dhe që prokuron energjinë nga tregu i lirë.

Pas bizneseve të lidhur në 35 kilovolt, grupi i atyre që pritet të dalin në treg të lirë është i bizneseve të lidhura ne 20 kilovolt. Kjo kategori përfshin diku rreth 1000-1100 biznese sipas vlerësimeve të bëra paraprakisht nga autoritetet. Aktualisht Operatori i Sistemit të Transmetimit po përmbyll instalimin e pjesës teknike që pritet të mundësojë procesin e daljes në tregun e lirë të kësaj kategorie biznesi.

Monitor,  04.04.2019