Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP ndërton një kopsht të ri në Urën Vajgurore

Ura-Vajgurore, Shqipëri. Këtë javë u përurua kopshti i fshatit Pashalli, i cili u ndërtua nga e para falë një investimi prej rreth200’00 euro nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP), pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore.Mbi 30 fëmijë, nga mosha tre deri në gjashtë vjeç, kanë një kopsht krejt të ri dhe të standardeve më të larta.

Për të përuruar godinën e re të kopshtit ishin të pranishëm në fshatin Pashalli Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi; Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj; Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri; përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Arsimit; stafi i kopshtit si edhe fëmijët bashkë me prindërit.

Pasi u zbulua pllaka me mbishkrimin që shënon ndërtimin e kopshtit të ri, drejtoresha e kopshtit u tregoi të pranishmëve ambientet e brendshme ku do të qëndrojnë të vegjlit. Edhe për fëmijët kjo shënon ditën e parë që fusin këmbë në kopshtin e ri, që nga muaji prill kur edhe filloi puna për prishjen e godinës së vjetër dhe ndërtimin e të resë.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në fjalën e tij u ndal tek rëndësia e krijimit të kushteve sa më të mira për shkollat si i vetmi mjet për zhvillimin e shoqërisë: “Ne kemi bërë disa vepra, nuk është vetëm kjo, por kjo sot i shkon drejtpërdrejt fëmijëve të kësaj zone, si një nga prioritetet që ka pasur bashkia për problematikat sociale. Dhe më vjen mirë që arritëm të realizonim një kopsht me të gjitha kushtet, por që do të shërbejë edhe si qendër sociale. Aktiviteti ekonomik i TAP do të sjellë shumë përfitime edhe në vazhdim.”

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Memaj, përshëndeti investimin e TAP këtë komunitet dhe në veçanti për fëmijët. Ajo shtoi: “Jam e lumtur që fëmijët e fshatit Pashalli kanë një kopsht me të gjitha kushtet. Ky kopsht i bashkëngjitet edhe 8 kopshteve të tjera, ku është ndërhyrë në Bashkinë e Urës Vajgurore. Me TAP kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe kemi arritur të realizojmë investime shumë të rëndësishme.”

Në fjalën e tij gjatë përurimit të kopshtit të ri, Menaxheri i TAP për Shqipërinë, Malfor Nuri,u shpreh: “Mikpritjes së këtyre komuniteteve ne i jemi përgjigjur me investime sociale dhe mjedisore. Kopshti i ndërtuar nga e para në Pashalli është një shembull i marrëdhënieve shumë të mira që TAP ka krijuar me komunitetet dhe qeverisjen vendore, pasi investime të tilla nuk mund të realizohen pa bashkëpunimin e të gjitha palëve. Ndihemi shumë mirë dhe krenar që kemi ndërtuar një kopsht model dhe të standardeve më të larta”.

Për ndërtimin e një godine të re u vendos pas vlerësimit nga ana e inxhinierëve të cilët dolët në përfundimin se godina e vjetër e kopshtit ishte shumë e amortizuar dhe nuk mund të rikonstruktohej. Për ndërtimin e kopshtit të ri, sipas standardeve të larta që zbaton TAP, u deshën rreth gjashtë muaj.

Kopshti i fshatit Pashalli është njëkatësh dhe ka një sipërfaqe të brendshme prej 360 m2 ndërsa pjesa e oborrit është 690 m2. Vëmendje e veçantë i është kushtuar efikasitetit të energjisë dhe kontrollit të temperaturës. Kjo u arrit përmes termo-izolimit të gjithë fasadës dhe instalimit të një sistemi qendror ngrohjeje. Duke i qëndruar standardeve të TAP, edhe kopsht i fshatit Pashalli është i pajisur me fikse zjarri.

Në Urën Vajgurore, përveç kopshtit në Pashalli, TAP ka ndërtuar nga e para shkollën“Llukë Mita” në fshatin Konizbaltë dhe ka rikonstruktuar shkollën “Tre Dëshmorët” në fshatin Pobrat.

TAP është një nga shoqëritë private që ka investuar më shumë në përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të edukimit dhe arsimimit në Shqipëri në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe vendore.

Deri më tani, TAP ka investuar rreth 4 milionë euro në këtë fushë si pjesë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore, programi për Zhvillimin e Edukimit. Ndërkohë që vlera e plotë e Investimeve Sociale dhe Mjedisore të TAP për Shqipërinë 14 milionë euro.

Gazeta Shqip,  14.12.2018