Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i naftës nën presion për shkak të kërkesës së ulët

Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht, gjatë sesionit të sotëm, pas marrëveshjes së arritur nga OPEC dhe aleatët për të ulur prodhimin, duke filluar nga janari.

Megjithatë, çmimet vijojnë të gjenden nën presion, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë globale. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 62 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 52.5 dollarë për fuçi.

Në takimin e së Premtes, OPEC, Rusia dhe aleatët e tjerë ranë dakord të ulin prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë, për t’ju përgjigjur ngadalësimit të kërkesës dhe mbifurnizimit të tregut.

Në anën tjetër, çmimet kanë gjetur një mbështetje të lehtë nga mbyllja e një platforme në Libi, që prodhon rreth 315 mijë fuçi në ditë. Në një shënim për klientët e saj, banka amerikane Morgan Stanley tha se, ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia nuk do të jetë e mjaftueshme për të balancuar tregun në gjysmën e parë të 2019-ës.

Që nga fillimi i tetorit, çmimet e naftës kanë rënë me rreth 30%, për shkak të ngadalësimi të kërkesës dhe rritjes së prodhimit, sidomos nga SHBA.

Japonia, që është konsumatori i katërt më i madh i naftës në botë, rishikoi në rënie prodhimin e brendshëm bruto, gjatë tremujorit të tretë, që përkthehet në një kërkesë më të ulët për naftë.

Ndërsa në Kinë, që është konsumatori më i madh i naftës në botë, importet e naftës u rritën me 8.5%, krahasuar me një vit më parë, në 10.43 milionë fuçi në ditë.

Scan,  11.12.2018