Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Media italiane reportazh mbi TAP dhe Shqipërinë

“78 vite më parë. Ishte nëntori i vitit 1940: djemtë nga Parma, ngecën midis baltës në kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Grekët qëllonin me breshëri mbi italianët”, kështu nis shkrimi që tabloidi italian “Ilsole24ore”  i ka kushtuar projektit TAP që “bashkon” Greqinë, Shqipërinë e Italinë. Autori i artikullit vë theksin në elementin historik, duke u fokusuar në Luftën e Dytë Botërore, ku Italia dhe Greqia ishin në luftë e ku Shqipëria ishte fronti i ushtrisë italiane. Tashmë këto vende, dikur në luftë, po bashkohen nga ky projekt gjigand që synon të sjellë gazin nga Azerbajxhani në Europë.

“Një kilometër nga dogana shqiptare e ‘Tre Urave’, gjendet një objekt thuajse i shkatërruar. Aty ka qenë e vendosur ura e Peratit, ku në fund të nëntorit 1940, vdiqën mijëra italianë. Ura u shkatërrua me eksploziv nga italianët. Në njërën anë, gjen të shkruar ‘A’ për ‘Albania’. Ndërsa, në anën tjetër të lumit, shkruar në çimento, gjën ‘E’ për ‘Eladha’. Në zonën ku ndodhej fshati i Peratit, i cili u shkatërrua nga granatat, dhë në urën që nuk ekziston më, mblidhen emocione të forta dhe thirrje që duken se vijnë nga përtej. Kujtojmë që Mussolini, për kapricio politike, vendosi të pushtonte Greqinë dhe për më tepër, donte ta bëntë këtë gjë nëpërmjet Shqipërisë. Këtë gjë e realizoi duke veshur djemtë italianë me veshje tipike shqiptare, prej leshi fallso dhe detaje të tjera të ngjashme. Por, ajo që ndodhi ishte se grekët kundërsulmuan dhe arritën të pushtonin Shqipërinë. Në 21 nëntor, 1940, italianët shpërthyen urën dhe nisën tërheqjen. Ndërkohë, grekët arritën të kalonin kufirin  për në Bilisht, Perat, Ersekë deri në brendësi të vendit. Sipas oficerëve grekë, Shqipëria do kthehej në varrrin e italianëve”.

Sot, nën rrugën e bukur për në Ersekë e deri në doganën e “Tre urave”, gjenden trupat e asaj beteje famëkeqe.

Aty ku kalon tubacioni gasit sot, në ato pak muaj të 78 viteve më parë, u vranë 13 mijë ushtarë italianë, 3900 prej tyre nuk iu gjetën eshtrat, 12 mijë vuajtën nga plagët në gjymtyrë dhe 50 mijë u dëmtuan. Praktikisht, ky shkrim i imi përmban 19, 500 karaktere duke përfshirë presjet dhe pikat. Po kaq, pra 19,500, ishte dhe numri i italianëve që humbën jetën aty ku sot bashkohet Italia, Greqia dhe Shqipëria”, thekson në shkrimin e tij autori italian Jacopo Giliberto.

Giliberto përmend në tekst të gjitha pjesët e projektit që nis në Azerbajxhan dhe përfundon në Itali. Midis të tjerave, ai përshkuan “peripecitë” që iu është dashur të kalojnë në fillimet e punimeve në Shqipëri.

Në distancë të rregullt nga njëra-tjetra, kishin vendosur postacione prej druri, një këtu dhe një aty. Mëngjesin tjetër, kur ngjitën malin, kuptuan që dikush i kishte shkatërruar në mbrëmje. Shpenzuan kohë për ti vendosur sërish në vend. Por, sërish mëngjesin tjetër dikush i kishte shkatërruar. Pas disa ditësh “bëj-zhbëj”, drejtuesit e projektit vendosën kamera të fshehta. Nga pamjet e regjistruara, u zbuluan vandalët të cilët të maskuar, shkulnin postacionet nga vendi. Vandalizmat vinin nga njerëz që refuzonin ndërtimin e veprës në tokat e tyre”, shkruan Giliberto.

Në artikullin e gjatë, ai gjithashtu përmend dhe një nga plagët më të rënda të tranzicionit shqiptar: çështjen e pronësisë. Midis të tjerave, ai përmend: “për të shtrirë një tubacion gazi, duhet fillimisht të identifikohen parcelat e tokës ku do kalojë projekti. Praktikisht, duhen ‘pushtuar’ qindra kilometra të gjata, duhen zhvendosur pemë, duhet gërmuar dheu dhe në fund, do shtrihet tubacioni dhe do mbulohet. Për ti bërë të gjitha këto gjëra, duhen paguar pronarët e tokave. Dhe këtu nis sfida e vërtetë! Nëse në të gjithë pjesën tjetër të botës është  e lehtë të gjesh pronarin, në Shqipëri bëhet shumë, shuëmë e vështirë. Shqipëria ishte një vend që qëndroi nën pushtimin otoman për qindra vite, më pas nën pushtimin italian dhe në fund nën diktaturën komuniste. Të gjitha këto e bënë të pamundur të drejtën mbi pronën private. Gjithçka i përkiste shtetit. Pra pyetja ishte është: ku janë kontrat noteriale? Kush i lëshoi certifikatat e pronësisë? Dhe më e rëndësishmja, si ta dallojmë dikë që gënjen dhe dikë që thotë të vërtetën?

Interesante për të duket se është dhe dukuria e bunkerëve. Ai përshkruan kontekstin në të cilin ato u ndërtuan dhe vështirësitë që kanë krijuar për projektin TAP. Në një rast, ai madje përmend se për të realizuar shtrirjen e tubacioneve, duheshin shkatërruar 40 bunkerë.

Për autorin italian Jacopo Giliberto, rruga që ndjek në Shqipëri, specifikisht Bilisht, përfaqëson pikërisht pikën ku bashkohet e kaluara e tre shteteve. Aty ku mijëra ushtarë italianë që u masakruan në 78 vite më parë nuk do e imagjinonin kurrë sesi do ndryshonin gjërat apo që një tubacion gazi do bashkonte njerëzit në paqe.

Scan,  10.12.2018