Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimi i naftës ulet me 7 lekë/litër

Çmimi i karburanteve ka shënuar një rënie të lehtë me 7 lekë për litër ditët e fundit në tregun vendas. Në pikat e tregtimit të Kastrati, operatori më i madh me pakicë e shumicë i naftës në vend, një litër naftë shitet me 175 lekë dhe një litër benzinë me 177 lekë. Më parë, nafta tregtohej me 182 lekë. Në nivele të ngjashme i ka ulur çmimet edhe Eida, operatori i dytë më i madh në vend. Tendencën rënëse e ka reflektuar dhe Alpet, me naftën që ka zbritur në 178 lekë, po me rreth 7 lekë për litër.

Operatorët e tregut pohojnë se tregu ka reflektuar rënien e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, treguesi referencë i naftës europiane Brent, ka zbritur në 60 dollarë për fuçi, nga 85 dollarë që ishte niveli më i lartë i vitit, në mes të muajit tetor. Rritja e karburanteve në bursa u reflektua dy herë në tregun vendas, në qershor dhe tetor me nga 5 lekë për litër përkatësisht, duke e çuar nga 172-173 lekë në fillim të vitit në 182-183 lekë deri pak ditë më parë.

Por, pavarësisht rënies, nafta në tregun vendas mbetet më e shtrenjtë sesa një vit më parë, ndonëse në bursa ka zbritur përtej nivelit që ishte në nëntor 2017.

Operatorët e tregut pohojnë se ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do pak kohë të reflektohet. Nga ana tjetër, barra e lartë e taksave bën që karburanti në Shqipëri të jetë ndër më të shtrenjtët në Europë në vlerë absolute dhe më i shtrenjti nëse krahasohet me fuqinë blerëse.

Operatorët vendas pohojnë se taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse Shqipëria ka çmime kaq të shtrenjta të karburanteve, ku mbi 60% të çmimit e përbëjnë taksat.

Në Shqipëri nafta taksohet si vijon: Akciza, 37 lekë për litër; Taksa e qarkullimit, 27 lekë për litër; Taksa karbonit, 3 lekë për litër. Krahas tyre, vitet e fundit në kosto janë përfshirë dhe tarifa e markimit dhe ajo e skanimit, nga 1 lekë për litër secila, dhe taksa e rilicencimit prej 3 lekë/litër. TVSH totale i arrin 30-40 lekë për litër.

Monitor,  30.11.2018