Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albgaz, pesë detyrat që duhet të plotësojë deri në prill 2019

Kompania Albgaz do të ketë pesë detyra kyçe të cilat duhet t’i plotësojë deri në prill 2019, sipas një afati të ri që ka dhënë Enti Rregullator i Energjisë në një vendim të nëntorit.

Këto detyrime sipas ERE-s duhet të ishin përmbushur nga ana e kompanisë publike pas certifikimit si Operator i kombinuar i gazit natyror në nëntor të vitit të kaluar, por duket se kjo nuk ka qenë e mundur. Në këto kushte, nga ana e Albgaz është kërkuar shtyrje afati për të çuar në fund detyrat e vendosura të cilin ERE-n  e ka martuar.

Këto detyra lidhen kryesisht me mënyrën sesi është krijuar Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë, pra anëtarët e saj, raportimet që duhet të bëjë në mënyrë periodike kompania pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe ERE, si dhe procedurën e regjistrimit të aseteve.

Por cilat janë më specifikisht pesë detyrat që Albgaz duhet të përmbushë deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Së pari sipas ERE, Albgaz brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të zëvendësojë përfaqësuesit e MIE te Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë me anëtarë, të cilët nuk janë të punësuar tek MIE ose te kompanitë e prodhimit dhe/ose furnizimit të energjisë elektrike që kontrollohen nga ajo.

Së dyti duhet  të raportojë çdo muaj në ERE procedurën për regjistrimin e aseteve të transmetimit dhe ta përfundojë procedurën brenda gjashtë muajve pas miratimit të Vendimit Përfundimtar.

Së treti, duhet që të hartojë dhe t’i dorëzojë ERE-s, raportin e përcaktuar sipas Programit të Përputhshmërisë rregullatore jo më vonë se 12 muaj nga miratimi i Vendimit të Certifikimit të Albgaz sh.a., konform përcaktimeve të nenit 21 të Direktivës nr.73/2009 të Komisionit Europian, “Mbi rregullat për tregun e gazit natyror” dhe nenit 47 të ligjit nr. 102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”.

Së katërti, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, për qëllime të implementimit të rekomandimeve në Opinionin e Sekretariatit, Albgaz sh.a., të paraqesë në ERE dëshmi që tregon garancinë në lidhje me: 5.2 Bashkëpunimin ndërinstitucional për realizimin e ndryshimeve në kuadrin ligjor, Neni 11 dhe 46 (10) i Ligjit për Sektorin e Gazit Natyror dhe transferimi i kompetencave te Ministria e Ekonomisë.

Për përmbushjen e këtij detyrimit, Albgaz sh.a. do t’i paraqesë ERE provat dokumentare që ndryshimet ligjore dhe nënligjore të nevojshme që lidhen me transferimin e kompetencave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë tek aksioneri i Albgaz sh.a., Ministria e Ekonomisë dhe Financave, kanë ndodhur janë efektive.

Së pesti Albgaz sh.a., do të raportojë çdo 3 muaj tek ERE dhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në lidhje me përmbushjen e detyrimeve të pikave 2, 3, 4 dhe 5 të këtij vendimi si dhe me ecurinë e procesit të transferimit të kompetencave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë te Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Monitor,  30.11.2018