Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA: Rusia e përdor energjinë si armë

Sekretari i Energjisë i Shteteve të Bashkuara, Rick Perry, në një takim në Hungari, i bëri thirrje vendeve fqinje që të shmangin bashkëpunimin me Rusinë, duke theksuar qëndrimin e Washingtonit mbi energjinë.

Sipas Shteteve të Bashkuara, Moska po e përdor energjinë si një armë dhe ndërtimi i tubacioneve të gazit në Europën Juglindore ka për qëllim që të ushtrojë presion dhe kontrollojë zhvillimet politike e ekonomike në këto vende.  Sipas sekretarit të Energjisë, diversifikimi i burimeve të energjisë në Europën Juglindore duhet të jetë një prioritet.

“Rusia po përdor tubacionin rrjedha e veriut 2 dhe tubacionin turk për të konsoliduar prezencën dhe shtuar ndikimin në sigurinë e stabilitetin e Europës Qendrore dhe Lindore.  Ne nuk duhet të lejojmë më Kremlinin që të përdorë energjinë si një armë”, tha Perry.

Komentet e sekretarit amerikan bëjnë kontradiktë me qëndrimin e Ministrit të Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, i cili theksoi se tubacioni turk mund të kontribuojë në industrinë energjitike të vendit nëpërmjet një itinerari që do të përfshijë edhe Ballkanin.

Në Ballkan dhe Europën Juglindore, mungon infrastruktura në energji për të furnizuar mjaftueshëm kërkesat e tregut të brendshëm.  Sipas Shteteve të Bashkuara, ekziston mundësia që të ndryshojnë politikat në energji dhe të përdoren burime alternative nga ato të Rusisë, ndërkohë që pritet të përfundohet edhe infrastruktura që do të furnizojë me gazin natyror amerikan.

Scan,  15.11.2018