Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta dhe metalet rrisin eksportet

Shitjet e produkteve jashtë vendit arritën në 205 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke shënuar një rritje prej 16.1% me bazë vjetore, sipas shifrave të publikuara nga INSTAT.

Dy janë grupet që po nxisin këtë rritje, “minerale, lëndë djegëse dhe energji” dhe “materiale ndërtimit dhe metale”. Ndërsa “tekstile dhe këpucë”, që është grupi kryesor i eksportuar në vend ka shënuar rënie për herë të parë në muajin gusht.

Për 8 mujorin, eksportet e “tekstile dhe këpucë” arritën në 82 miliardë lekë, me një rritje prej 6.7% me bazë vjetore, nga zgjerimet dyshifrore të një viti më parë. Ndërsa në gusht, ky grup shënoi rënie për herë të parë në më shumë se tre vjet, teksa eksporte ishin rreth 7% më të ulëta në raport me gushtin e një viti më parë.

Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë së prodhimit të këmishave “Kler”, e shpjegon këtë rënie me dy fenomene. Së pari, në muajin gusht ka një rënie të aktivitetit sepse shumë klientë tentojnë t’i dorëzojnë porositë përpara gushtit dhe kjo tendencë është ishte në rritje vitin e fundit. Nga ana tjetër është zgjatur dhe periudha e pushimeve të partnerëve italianë dhe janë hapur fabrikat me tre shtator. Faktori i dytë, që ka ndikuar në ngadalësimin e eksporteve përgjatë gjithë vitit është kursi i këmbimit, teksa vetëm si rrjedhojë e zhvlerësimit të euros, rënia e të ardhurave ka qenë 8-10%. Kërkesa është e njëjtë me një vit më parë, tha Hoxha për “Monitor”, por kursi na ka dëmtuar shumë. Ai thotë se zgjidhja e vetme është që kjo humbje të transferohen në rritjen e çmimit dhe thotë se ia ka dalë të bindë partnerët italianë për një rritje 10% të çmimit. “I bëj thirrje sipërmarrësve të mos kenë frikë të kërkojnë rritje çmimesh, sepse kërkesa është shumë e lartë”, pohon Hoxha. Sipas tij,  sipërmarrësit shqiptarë duhet të jenë pak më agresive dhe të kërkojnë rritje çmimesh, pasi kërkesa nga partnerët e huaj është e lartë dhe Shqipëria ka ende avantazhin e kostos, sepse çmimet janë ende shumë më të lira se në Bullgari e Rumani, që e dorëzojnë produktin me çmim 50% më të shtrenjtë sesa në Shqipëri. Psh, një palë pantallona në Shqipëri prodhohen me 3.5euro, në Bullgari e Rumani, me minimumi 5 euro.

Grupi që ka shënuar rritjen më të madhe këtë vit është ai i “minerale, lëndë djegëse dhe energji”, eksportet e të cilit arritën në 40 miliardë lekë për 8 mujorin, me një zgjerim prej gati 40%, duke kaluar sërish në grupin e dytë më të eksportuar në vend.

Në rritje ishin dhe eksportet e “materiale ndërtimi dhe metale”, që arritën në 35 miliardë lekë, me një zgjerim prej 27%, të ndikuara kryesisht nga kompania Kurum, e cila pasi ka funksionuar ristrukturimi për efekt falimenti i shpallur në mars 2017 është vënë në eficiencë të plotë dhe ka zgjeruar eksportet e metaleve kryesisht në tregjet e rajonit, ku mbizotëron Kosova.

Eksportet e ushqimeve pijeve dhe duhanit, që dikur rriteshin me ritme dy shifrore,  u zgjeruan me 8.7% për 8 mujorin.  Sipas fermerëve, ndikimin kryesor e ka dhënë prodhimi më i pakët i domates dhe kastravecit dhe sëmundjet që u kanë rënë produkteve bujqësore.

Ecuri pozitive shënuan dhe eksportet e “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që u rritën me 21% në 11 miliardë lekë, si rrjedhojë e aktivitetit të kompanive gjermane që prodhojnë me fason kabllo elektrike, si Forschner.

Revista Monitor,  17.09.2018