Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rumani, kundërshtohet miratimi i projektit të gazit në det të hapur

Kohët e fundit, Rumania ka qenë nën një presion i cili po rritet nga ana e Hungarisë dhe kompanive të energjisë që të miratojë sa më parë legjislacionin për shfrytëzimin e depozitave të gazit në Detin e Zi, por disa ekspertë kanë paralajmëruar se projektligji aktual është një marrëveshje jo pozitive për Rumaninë.

Rumania është duke i rezistuar presionit të madh për të përshpejtuar miratimin e legjislacionit për të rregulluar shfrytëzimin në det të hapur të depozitave të gazit të Detit të Zi, në mes të një situate jo të qetë me Hungarinë, lidhur me mungesën e infrastrukturës dhe progresit të ngadaltë në miratimin e legjislacionit të deritanishëm.

Situata u përkeqësua së fundmi kur në një debat publik, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha në Konferencën Botërore të Gazit në Uashington, se e vetmja mënyrë që Rumania të miratojë legjislacionin dhe të përmirësojë infrastrukturën e saj, është se duhet të jetë nën presion të vazhdueshëm.

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së më 29 qershor shkruhej se “gazi në Detin e Zi nga Rumania përfaqëson një burim premtues, por ende të pashfrytëzuar të energjisë që do të forconte tregjet energjetike dhe sigurinë e energjisë në të gjithë rajonin. “Ne jemi duke parë nga afër zhvillimet pasi Parlamenti dhe qeveria e Rumanisë të rregullojnë dhe më pas të miratojnë legjislacionin, që do të krijojë një kuadër të qëndrueshëm fiskal dhe rregullator që kërkohet për kompanitë e energjisë, për të investuar në zhvillimin e këtij burimi”.

Hungaria nënshkroi një partneritet strategjik me kompaninë amerikane Exxon Mobil në fillim të qershorit. Ajo shpreson që Rumania të përmirësojë infrastrukturën e transportit të gazit në mënyrë që të mund të transportojë 4.4 miliardë metra kub në vit nga Deti i Zi drejt Hungarisë.
Ministria e Jashtme e Rumanisë publikoi javën e kaluar një reagim të ashpër ndaj pretendimeve të Hungarisë, duke i cilësuar ato shpifje dhe keqinformim i popullit dhe se kërkonte sa më parë një shpjegim nga ambasada hungareze.

“Më 4 qershor, transportuesi rumun i gazit njoftoi se kishte filluar punën ndërtimore për tubacionin BRUA (në Fazën e parë) në territorin e Rumanisë, i cili kërkon fonde të mëdha nga kompania rumune për të siguruar lidhjen me Europën Qendrore”, thuhej më tej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Ajo shtoi se Hungaria nuk e kishte respektuar marrëveshjen rajonale dhe nuk kishte investuar në tubacionin BRUA në territorin e saj.
Në shkurt, Transgaz i Rumanisë mori 60 milionë euro nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, për të filluar punën për ndërtimin e tubacionit BRUA.

Megjithatë, përparimi në drejtim të legjislacionit është shumë i ngadaltë, sepse deputetët rumunë dhe kompanitë e vendosura për të shfrytëzuar depozitat nuk kanë rënë dakord mbi taksat e vendosura. Një projektligj u miratua nga Senati i Rumanisë në 2017, por ai nuk është dërguar për votim në Dhomën e Ulët. Edhe pse u mblodh një komision pikërisht për këtë çështje, nuk u arrit asnjë marrëveshje mbi strukturën tatimore.

Ndërkohë, Richard Tusker nga ExxonMobil, tha për agjencinë rumune të lajmeve Agerpres, se kompania nuk do të merrte një vendim përfundimtar mbi fillimin e shfrytëzimit të gazit në perimetrin e thellë të Neptunit në Detin e Zi, derisa Rumania të miratojë strukturën tatimore. Shfrytëzimi vjetor mund të arrijë në 6.3 miliardë metra kub, tha Z. Tusker.
Projektligji, megjithatë, është duke u përballur edhe me kritika të forta nga ekspertët e shoqërisë civile, të cilët thonë se kjo mund të dëmtojë interesat e Rumanisë.

Në formën e tanishme, ligji parashikon vetëm humbje për vendin për shkak të honorareve të ulëta të paguara nga kompanitë, tha Lucian Davidescu, aktivist i shoqërisë civile për një Rumani të Pastër, një OJQ kundër korrupsionit. “Dëmi do të ishte të paktën dyfish më i lartë në krahasim me privatizimin e Petrom, kur si pasojë e honorareve e ulëta u humbën rreth gjysmë miliard euro gjatë një dekade”, shtoi ai më tej. Z. Davidescu tha se nuk kemi pse të nxitohemi, duke shtuar me ironi se gazi nuk ka ku të shkojë.

Lideri i partisë qeverisëse, socialdemokrati Liviu Dragnea, bëri pak a shumë të njëjtin arsyetim. Ai tha se ne nuk kemi pse të nxitohemi, aq më shumë duke rrezikuar të bëhemi lojtarë të një loje ku nuk do të fitojmë kurrë. Ata duan ta përdorin Rumaninë si një vend kalimtar dhe duke përdorur burimet natyrore që ne kemi, të kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të tjera, si Hungaria e kështu me radhë, përfundoi ai.

Revista Monitor,  22.08.2018