Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pezullohet kërkimi i naftës në kufi me Greqinë

Deti Jon tashmë nuk ka dallgë. Kërkimet për burime nafte ose gazi janë ndalur dhe praktikisht ato mund të quhen të mbyllura, pasi kompania që kishte marrë përsipër gjetjen e arit të zi në një zonë detare kufitare mes vendit tonë dhe Greqisë e ka pezulluar punën. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, Kompania Capricorn (Cairn Energy), ka ndalur kërkimet, edhe pse një dekadë më parë kur, lidhi marrëveshjen me qeverinë shqiptare, deklaronte për rezultate optimiste dhe objektive kërkimi.

Në përgjigjet e dërguara për gazetën “Shekulli”, AKBN deklaron se kontrata me kompaninë britanike, praktikisht konsiderohet e mbyllur dhe blloku me sipërfaqe 2500 km²  është i lirë. Por, sot në debatin e madh me fqinjët për çështjen e detit, nuk po diskutohet ndonjë mundësi për marrëveshje të re e as ndonjë shprehje interesi nga kompani gjigande të specializuara për hulumtime në thellësi. Të paktën kjo është politika e dukshme, ajo që i serviret publikut, në një kohë kur kontrata si ajo e bllokut Joni-5, nuk diskutohen në rang agjencish, por në raporte ndërshtetërore.

Deklarata si ajo e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias se Greqia do të zgjerohet me 12 milje detare, ngrenë dyshime se kush do t’i udhëheqë kërkimet në të ardhmen, dhe ç’është më e rëndësishmja, cili shtet do të marrë benefitet. Dhe pikëpyetja më e madhe mbetet edhe në diskursin diplomatik të ministrit Ditmir Bushati, i cili as e pohon dhe as e mohon deklaratën e homologut grek. Ekspertët janë të bindur se ky bllok nënujor do të lëshojë një ditë fontana nafte ose gazi, pasi britanikët e Capricorn, arritën të firmosnin aty një kontratë në vitin 1996. Më herët, në 5-vjeçarin e parë pas vitit 1990, aty kreu operacione një tjetër kompani e madhe, Hamilton Oil, por u dorëzua, duke e mbyllur marrëveshjen me qeverinë shqiptare. Ja përgjigjet që mori gazet Shekulli nga AKBN për këtë problem.

Si po shkon procesi i kërkimeve për naftë dhe gaz në detin Jon?

Aktualisht në detin Jon nuk janë duke u kryer operacione për kërkimin e naftës dhe gazit. Me Kompaninë Capricorn (Cairn Energy), e cila ka pasur një kontratë për kërkimin e naftës dhe gazit në bllokun Joni-5, duke qenë se prej më shumë se 5 vitesh nuk është aktive, kemi hyrë në fazën e mbylljes përfundimtare të marrëveshjes. Pra, kontrata duhet të konsiderohet e mbyllur dhe blloku i lirë.

Cilat kompani po vijojnë punën për gjetjen e burimeve? A ka prej tyre ndonjë kompani që është tërhequr, ose kompani që i është bashkuar atyre që punojnë?

Pra, siç u theksua me sipër nuk ka ndonjë kompani që të jetë duke kërkuar për naftë dhe gaz në bllokun Joni-5. Në territorin shqiptar vetëm kompania Shell është aktive, duke kryer aktivitete për kërkimin e naftës dhe gazit në blloqet 2 dhe 3 në zonën e Beratit, aty ku ajo ka deklaruar edhe një zbulim (në puset e Shpiragut). Po kështu kjo kompani është në fazën përgatitore për fillimin e punimeve të kërkimit edhe në bllokun 4, pas nënshkrimit dhe miratimit nga Qeveria e Shqipërisë të Marrëveshjes me Ndarje Prodhimi për këtë bllok.

A ka ndonjë raportim, dritë jeshile për gjetjen e ndonjë burimi gazi a nafte brenda koordinatave të kërkimit?

Nga punimet e kryera prej kompanisë Hamilton Oil (1991-1996), përfshirë edhe shpimi i një pusi kërkimi, nuk rezultoi ndonjë zbulim nafte apo gazi. Kompania e mbylli marrëveshjen dhe nuk vijoi kërkimin në këtë bllok. Për një periudhe 10-vjeçare asnjë kompani nuk shprehu ndonjë interes për këtë bllok. Mbas vitit 2006 kompania Capricorn (filial i Cairn Energy) kreu një sërë punimesh kërkimi, por nuk u finalizuan me shpim pusi kërkimi. Në këto kushte blloku Joni-5 është një bllok me mundësi zbulimi si edhe gjithë blloqet e tjera detare.

Kompanitë kanë shprehur interes për zgjerim të zonës së kërkimit, apo i përmbahen marrëveshjeve të lidhura?

Nuk ka ndonjë kompani aktualisht që të ketë kërkuar zgjerim të zonës së kërkimit.

Si zonë kufitare, marrëdhënia me palën greke po ruhet e stabilizuar apo ka pretendime të reja, qoftë prej shtetit fqinj, qoftë nga pala shqiptare?

AKBN ka kontraktuar gjatë këtyre 27 viteve me dy kompani të huaja për kërkimin e naftës dhe gazit në bllokun Joni-5. Me kompaninë Hamilton Oil në vitin 1991 dhe me kompaninë MedOil në vitin 2006 (më vonë kjo e fundit u ble nga Cairn Energy). Në të dyja rastet kompanitë kanë vazhduar operacionet hidrokarbure të kërkimit, pa u ndikuar nga politika apo problemet ndërshtetërore midis dy vendeve. Marrëdhëniet tashmë nuk janë në nivel agjencish apo entitetesh homologe shtetërore që merren me kërkimet në det, pasi ato kanë kaluar në nivele ndërshtetërore.

Kontrata

Në maj të viti 2015 Ministria e Punëve të Jashtme reagoi kur i dorëzoi ambasadorit grek në Tiranë një notë proteste në lidhje me planet e Greqisë për të eksploruar rezerva nafte dhe gazi në detin Jon, pikërisht në zonën e “Joni 5”, për të cilën Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kishte lidhur Marrëveshje me ndarje prodhimi me kompaninë “Capricorn” qysh në shtator të vitit 2007. Qeveria shqiptare pretendon se zona “Joni 5”, nuk ka të bëjë me “Joni 2” në pjesën greke, por në fakt ekspertët thonë se është e njëjta koordinatë dhe për pasojë Greqia nëse arrin ta përfshijë këtë pjesë në ndarjen e re të detit, do siguronte atë hapësirë detare të mbushur me sasi të madhe nafte dhe gazi. Droja më e madhe është se Greqia të lëshojë ca hapësirë detare nga marrëveshja e vitit 2009 dhe të mbajë si pjesë ekskluzive të saj hapësirën e përcaktuar si “Joni 5”.

Revista Monitor,  30.07.2018