Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA dhe Rusia të rregullojnë tregun e naftës dhe gazit

Pas një vonesë gati një orë, presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin, zhvilluan takimin e parë zyrtar mes tyre, në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki. Pas përfundimit të takimit, Trump tha se biseda ishte “një fillim shumë i mirë për të gjithë”. Samiti mes dy liderëve zgjati më shumë se 2 orë, nga rreth 90 minuta që ishte planifikuar. Takimi vjen vetëm disa ditë, pasi Departamenti i Drejtësisë në SHBA akuzoi 12 oficerë të inteligjencës ruse, se kanë hakuar dokumentat e demokratëve, në përpjekje për të ndërhyrë në rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016.

Këto akuza përforcojnë akoma më shumë idenë se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane në favor të Donald Trump. Pas takimit, dy liderët dolën në një konferencë për mediat dhe fjalën i pari e mori presidenti rus. “Gjatë bisedës, ne folëm për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Falenderoj presidentin Trump për këtë takim”, tha Putin. Përsa i përket akuzave për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016, Putin shtoi se, Rusia asnjëherë nuk ka ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjë në çështjet e brendshme amerikane.

Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ndër të tjera, në takim u diskutua edhe për situatën në Siri dhe rolin e Iranit në Lindjen e Mesme, por edhe për zgjedhjet amerikane. “Rusia nuk ka ndërhyrë asnjëherë në rezultatin e zgjedhjeve. Mendoj se ky është një fillim shumë i mirë. Ne ramë dakord me presidentin Putin se, Rusia dhe Amerika mund të rregullojnë së bashku tregun ndërkombëtar të naftës dhe gazit”, deklaroi Trump.

Scan Tv,  17.07.2018