Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rusia po ndërton akullthyese për të shfrytëzuar naftën e Arktikut

Vendi i punës me kushtet më të këqija në botë padyshim është Yamal LNG, një fabrikë gazi natyror me vlerë 27 miliardë dollarë, e cila ndodhet në territorin rus brenda Rrethit Polar Arktik. Në dimër, kur dielli nuk shkëlqen për të paktën dy muaj, temperaturat në tokët arrijnë -25 deri në -50 gradë celcius dhe mjegulla mbulon detin.

Megjithatë, në këtë vend ka shumë karburante fosile, rreth 8 miliardë fuçi nafte. Kështu që Yamal LNG, i kontrolluar nga prodhuesi i gazit natyror në Rusi, Novatek, ka mbledhur disa partnerë për të ndërtuar disa anije akullthyese të veçanta.

Naftëmbajtëset e zakonshme nuk mund ta përballojnë akullin e detit Kara në Arktik, ndërsa shoqërimi nga disa anije akullthyese më të vogla për naftëmbajtësen është diçka që kërkon kosto të larta dhe shumë kohë.

Ndaj, një bashkëpunim ndërkombëtar i dizajnuesve të anijeve, inxhinierëve, ndërtuese dhe investitorëve po krijon të paktën 15 naftëmbajtëse 300 metra të gjata 320 milionë dollarëshe, të cilat arrijnë të thyejnë vetë akullin.

Këto anije arrijnë të mbajnë secila 1 milionë fuçi nafte dhe së bashku do të mund të transportojnë 16.5 milionë ton gaz natyror të lëngshëm në vit. Në dimër ato do të udhëtojnë drejt Europës, ndërsa në verë drejt Azisë, duke thyer akullin që është deri në 2 metra i trashë.

Akullthyeset nuk e thyejnë akullin përmes përplasjes me të, por trupi i anijes është i krijuar në mënyrë që të përkulë për poshtë skajin e copës së akullit, duke e bërë të thyhet përmes presionit që shpërndahet në sipërfaqen e tij.

Naftëmbajtësja e parë nisi punën në Dhjetor dhe mund të lëvizjë në akull të trashë me 13 km/h. Ajo është anija e parë që lundroi Rrugën e Detit të Veriut, nga Siberia në Ngushticën e Beringut , duke vendosur një rekord kohe prej 6 ditësh e gjysmë.

Thyerja e akullit kërkon fuqi të jashtëzakonshme, ndaj naftëmbajtëset shtyhen nga tre gjeneratorë 15 megavatësh me gaz natyror. Secila prej anijeve mund të fuqizonte me energji elektrike rreth 35 mijë shtëpi.

Naftëmbajtëset do të kenë një jetëgjatësi prej 40 vitesh, kështu që me shumë gjasa do të jenë në det deri në vitet 2040, kur shkencëtarët parashikojnë se Arktiku nuk do të ketë më akull gjatë verës.

Scan Tv,  10.07.2018