Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Menaxheri i TAP: Pas projektit do vazhdoj të jetoj në Shqipëri

Karl Roberts, menaxheri i projektit TAP në Shqipëri, prej disa vitesh jeton në Shqipëri me familjen e pas përfundimit të projektit ku është angazhuar, thotë se do të vijojë të jetojë këtu.

Sipas tij, turizmi është sektori që po sheh rritje të menjëhershme dhe zhvillim, kurse ndotja është një problem që duhet zgjidhur. “Nuk njoh asnjë të cilit nuk i pëlqen Shqipëria”- shprehet Karl…

Çfarë ju motivoi të vinit dhe të punonit në Shqipëri? A kishit informacione për vendin?

Erdha në Shqipëri, pasi më ofruan të punoj në TAP si menaxher i projektit, një pozicion sfidues. Nuk kam pasur pothuajse asnjë njohuri për Shqipërinë, pasi edhe në shkollë nuk është përmendur. Të vetmit që kam pyetur ishin disa persona të cilët kanë punuar këtu për Premier Oil, për një kohë të shkurtër dhe u kishte pëlqyer vendi.

A është Shqipëria tërheqëse për ekspertët/menaxherët e huaj?

Ajo çfarë mund të them është se të gjithë punonjësit e huaj që vijnë këtu e pëlqejnë vendin. Nuk njoh asnjë të cilit nuk i pëlqen Shqipëria.

Nga këndvështrimi juaj, çfarë ju pëlqen më shumë dhe më pak në Shqipëri?

Pëlqimet i tejkalojnë mospëlqimet. Si fillim, më pëlqejnë njerëzit, pasi janë mendjehapur dhe pranues. Po ashtu, më pëlqejnë malet, lumenjtë dhe plazhet. Më pëlqen klima dhe kultura e kafesë. Ajo që nuk më pëlqen është ndotja dhe mosrespektimi i bukurisë natyrore që ka vendi.

A shihni ndonjë sektor ekonomik që ka një perspektivë pozitive?

Turizmi është sektori me rritje të menjëhershme. Shqipëria ka shumë më shumë për të ofruar për sa i përket zhvillimit të turizmit, duke përfshirë edhe turizmin industrial.
Gjithashtu, mendoj se Shqipëria ka mundësi të mira të tërheqë disa industri prodhuese falë vendndodhjes gjeografike, aksesit në det dhe burimeve njerëzore.

Përse vendosët të shpërnguleni dhe të jetoni në Shqipëri me familjen tuaj?

Ka shumë arsye për të vendosur të jetosh në Shqipëri. Unë jam nga Mbretëria e Bashkuar, por kam punuar përtej detit që nga viti 1991. Kam punuar në vende të ndryshme si Kazakistan, Singapor, Mianmar, Indonezi, Trinidad – Tobago, Egjipt, Tunizi dhe Australi. Edhe pse kisha pak kohë në Shqipëri u binda se ky ishte vendi ku duhej të investoja për një shtëpi të dytë. Gjithashtu, ime shoqe e dashuron Shqipërinë.

Ajo ka njohur shumë miq dhe një shoqe e veçantë është një zonjë nga Skocia, e cila ka themeluar “The Valdete Trust” për t’u kujdesur për nxënësit e rritur, por me aftësi të kufizuara. Ajo ka organizuar aktivitete të suksesshme bamirësie dhe kjo e mban atë të zënë ndërkohë që unë i përkushtohem punës sime.

Përveç arsyeve të mësipërme, Shqipëria është një vend që ofron siguri dhe është mikpritës, i cili vetëm do të bëhet më mirë ndërkohë që përmbush qëllimin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Gjithashtu nuk ka shumë të huaj, për momentin!

Cilat janë pasionet tuaja dhe a mendoni se mund t’i ndiqni ato këtu?

E adhuroj të udhëtoj, të eksploroj, të ecë dhe të ngas makinën 4×4 në terren të vështirë, prandaj edhe nuk mund të mendoj një vend më të mirë sesa Shqipëria.

Revista Monitor,  16.06.2018