Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP instalon turbo-kompresorët në Fier

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi se u krye instalimi i turbo-kompresorëve në stacionin e kompresorit në Fier. Turbo-kompresorët janë “zemra” e stacionit të kompresorit dhe do të luajnë një rol kyç për transportimin e gazit përmes tubacionit. Deri më tani kanë përfunduar rreth 30% e punimeve të përgjithshme për ndërtimin e stacionit të kompresorit në Fier dhe janë punësuar më shumë se 210 persona, 70% e të cilëve janë punëtorë lokal.

 Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati, Presidenti i TAP-it Walter Peeraer dhe Drejtori i Projektit të TAP, John Haynes.  Në aktivitet morën pjesë gjithashtu disa kryetarë bashkish, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe Misioneve Diplomatike në Shqipëri, kontraktorë dhe partnerë të TAP, etj.

 Kryeministri Rama dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri theksuan rolin pozitiv të TAP-it për ekonominë dhe rëndësinë strategjike që projekti ka për të ardhmen e vendit. Si një nga investimet më të mëdha të huaja në vend, TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në gazifikimin e vendit dhe në sektorin energjetik në përgjithësi. TAP-i do të nxisë investime të tjera të huaja dhe projekte energjetike si IAP-i, thanë ata.

 Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati tha: “Sot shënojmë një tjetër etapë në rrugëtimin energjetik të Shqipërisë. Ne besojmë se TAP-i do të bëhet një element kyç i këtij rrugëtimi të ardhshëm duke dhënë kontribut për sigurinë, diversifikimin dhe dekarbonizimin e energjisë. Duke përfituar nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Shqiptare, autoriteteve dhe komuniteteve vendore, TAP-i do të vazhdojë ndërtimin, duke realizuar një gazsjellës modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të ndihmojë transportin e gazit në vend dhe më tej.”

 Drejtori i Projektit për TAP-in John Haynes shtoi: “Jemi një hap më pranë përfundimit të projektit dhe sjelljes së gazit në Evropë. Stacioni i Kompresorit të TAP-it në Fier është instalimi sipërfaqësor më i rëndësishëm. Në Fier do të jetë një nga pikat dalëse të TAP-it të planifikuara në Shqipëri. Për më tepër, kjo do të jetë pika e nisjes edhe për Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP), që do të rrisë më tej rëndësinë strategjike të Fierit dhe Shqipërisë në rajon e më gjerë.”

 Pjesëmarrësit në aktivitet patën mundësinë të shohin nga afër turbo-kompresorët dhe të mësojnë rreth disa prej sfidave të ndërtimit të stacionit të kompresorit në Fier. 

 Sipërfaqja e përgjithshme e stacionit të kompresorit në Fier është 162,970 m2, që është e barabartë me pothuajse 25 fusha futbolli. Punimet e ndërtimit priten të përfundojnë në Mars të vitit 2019 dhe stacioni i kompresorit pritet të jetë gati për funksionim në tremujorin e fundit të vitit 2019. 

Revista Monitor,  09.06.2018