Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

FMN rekomandon rritjen e taksave tek nafta

Në kushtet kur borxhi publik nuk po frenohet sipas zotimeve që qeveria mori në fillim të mandatit të parë për ta çuar treguesin 60 për qind para 2020, Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon rritje tjetër taksash në mënyrë që qeveria të jetë e aftë të përballojë shpenzimet primare dhe pagesat e borxhit.

Në raportin e parë postmarrëveshje FMN rekomandon se konsolidimi fiskal duhet të mbështetet nga masat shtesë në të ardhurat tatimore.

FMN i sugjeron qeverisë që të rrisë akcizën dhe taksat tek nafta me ritmet e inflacionit. Kështu nëse inflacioni mesatar i vitit 2018 është 2 %, Fondi sugjeron që në këtë masë të rritet akciza, taksa e qarkullimit mbi naftën, dhe taksa e karbonit.

Gjithashtu Fondi i sugjeron qeverisë shqiptare që të zgjerojë bazën e TVSH-së tek ilaçet, shitjen e banesave të reja, arsim dhe sektorët e përjashtuar të turizmit.

FMN këshillon që të rikthehet taksat në biznesin e vogël dhe pragu i përjashtimit mbi pagat e ulta të ulet ne nivelin e pagës minimale 24,000 lekë nga 30,000 leke që është aktualisht.

FMN sugjeron zgjerim të bazës së taksave mjedisore dhe reduktimin e informalitetit.

Misioni  i FMN-së mirëpriti  progresin në krijimin e një kadastre fiskale dhe hapat drejt taksimit të pronës bazuar në vlerë, por theksoi nevojën për përpjekje të mëtejshme për të siguruar zbatimin e duhur te ligjit. Për më tepër,  Fondi thekson se, këto reforma nuk duhet të dëmtohen nga masat e reja që rrënojnë bazën tatimore.

FMN raporton se autoritetet shqiptare kanë theksuar angazhimin e tyre për të vazhduar me konsolidimin fiskal, por me një ritëm më të ngadalshëm se sa rekomandohet nga stafi.

Qeveria i ka raportuar FMN se po zbaton një plan monitorimi në ekzekutimin e  buxhetit dhe grumbullimin e të ardhurave, si dhe është duke ndërmarrë masa kompensuese për të arritur objektivin e përgjithshëm të deficitit prej 2 për qind të PBB-së në vitin 2018.

Por qeveria shqiptare nuk ka pranuar të rrisë taksa më shumë se ato që janë parashikuar më 2018. Qeveria shqiptare ka pranuar gjithashtu se mund të arrijë të objektivin 60 për qind të borxhit në raport me PBB-në.

Revista Monitor,  22.05.2018