Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ndotja nga makinat me naftë, BE padit 6 vende

Makinat me naftë morën një tjetër goditje të madhe pasi Bashkimi Europian paditi Gjermaninë dhe pesë shtete të tjera për tejkalimin e kufijve të ndotjes së shkaktuar prej saj.

Pasojat e mundshme nga padia e së enjtes do të godasin Volkswagen AG, Daimler AG dhe BMW AG në veçanti, pasi industria gjermane e automjeteve është shumë më e varur nga motorët me naftë.

Sipas ‘Bloomberg’, në padinë e Komisionit Europian kundër Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Rumanisë dhe Hungarisë thuhej se vendet nuk arritën të përmbushnin kufijtë e oksidit të azotit dhe grimcave, që shkaktohet kryesisht nga trafiku rrugor, industria, bujqësia dhe ngrohja.

Më tej, BE u ka dërguar ditën e sotme paralajmërime këtyre vendeve duke u kërkuar më shumë informacione rreth faktit se si ata i miratojnë automjetet për përdorim si pjesë e një hetimi të lidhur me skandalin e mashtrimi të V.W.

Motorët me naftë janë emetuesit kryesorë të oksidit të azotit, që shkakton probleme me frymëmarrjen dhe lidhet gjithashtu edhe me vdekjet e parakohshme. Sipas rregullave të BE-së, vendeve anëtare u kërkohet të mbajnë gazin në nivelin nën 40 mikrogramë për metër kub.

Vetëm pak muaj më parë, gjykata administrative e Gjermanisë nxori vendimin e ashpër për heqjen e automjeteve me naftë brenda qytetit me qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit.

Vendimi u mbështet edhe nga gjykatat më të ulëta të cilat argumentuan se ndalimi i makinave me naftë brenda qyteteve është mënyra më efektive për të ulur nivelin e gazrave që çlirojnë dhe për të përmbushur kufijtë e ndotjes së Bashkimit Europian.

Ndërkohë, Kancelarja Angela Merkel, tha se qeveria e saj ka ndërmarrë hapa për zvogëlimin e ndotjes, duke shtuar se vendi do të bëjë përparim të shpejtë në këtë kuadër.

Gjermania refuzon ‘fuqimisht’ akuzën se ka shkelur rregullat e miratimit të makinave të BE pas marrjes së masave efikase dhe të vazhdueshme, tha ministri i transportit Andreas Scheuer.

“Sigurisht kompanitë e makinave do të mbajnë përgjegjësi për mashtrimin e tyre. Asnjë shtet tjetër nuk ka marrë masa të tilla të gjera dhe të rrepta si Gjermania, e cila ka komunikuar në mënyrë të hapur dhe transparente me komisionin”, shtoi më tej Scheuer.

Ndërkohë, prej 1 prillit në Britaninë e Madhe ka hyrë në fuqi taksa e re mbi ndotjen nga automjetet, ku makinat me naftë do të taksohen 10 deri në 2000 paund.

Scan Tv,  18.05.2018