Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Importet e naftës ndjekin ciklin e ARMOs

Importet e naftës shënuan rritje vjetore me 50 për qind në tremujorin e parë të vitit, duke arritur një total prej 114 mijë tonësh nga 76.5 mijë tonë të importuar në janar-mars të 2017-s.

Shkak për dyfishimin e importeve është bërë bllokimi i prodhimit në rafinerinë e përpunimit të naftës në Fier, ARMO. Kur rafineria aktivizohet, nafta e vendit dominon rreth 30 për qind të tregut vendas, duke ndikuar në këtë mënyrë në uljen e importeve.

Mirëpo për shkak të ndryshimit të shpeshtëve të kontraktorëve që menaxhojnë rafinerinë, prodhimi ishte bllokuar qysh në fund të vitit të kaluar, duke i lënë kështu hapësirë naftës së importit. IRTC, kompania që menaxhonte ARMO-n, ndërpreu aktivitetin në dhjetor, pas rreth një vit, pas problemeve që pati me furnitorët për pagesat.

Nafta e Ballshit është shitur rutinë në tregun vendas edhe pse karta teknologjike e përpunimit të naftës në rafineritë vendase nuk u përgjigjet standardeve të ligjit shqiptar për cilësinë dhe pikën e flakërimit. Të dhënat teknike nga inxhinierët e fushës tregojnë se nafta bruto shqiptare nxjerr vetëm 15% naftë me standarde 10 ppm, por fakti që aktualisht nga përpunimi nxirret 25% do të thotë se standardi është shkelur.

Sipas ligjit për hidrokarburet, tregtimi i nënprodukteve të naftës bruto nga rafineritë kryhet vetëm pas certifikimit që bën Inspektorati Qendror Teknik (tanimë quhet Inspektorati Shtetëror Tekniko-Industrial).

Në çdo rast, tregtimi i diezelit 10 ppm në Shqipëri, duke filluar nga 1 janari 2009 (në bazë të V.K.M nr. 147, datë 21.03.2007) duhet të realizohet vetëm në bazë të standardit në fuqi të BE-së, i cili është EN 590. Pra, pavarësisht origjinës së diezelit 10 ppm (importi ose prodhimi vendas), ai duhet të plotësojë të gjithë kërkesat e standardit në fuqi”, ka konfirmuar Ministria e Energjetikës.

Norma e lejuar e squfurit është 10%, por kontrollet e IQT kanë konstatuar se kjo normë, në disa raste në pikat e pakicës, është edhe 200%, ndërsa pika e flakërimit, në rastin më të mirë ka rezultuar 44 nga 55 që është norma. Ekspertët e fushës shpjegojnë se kjo ndodh me abuzimin që krijohet nga tregtimi i naftës vendase. Për të ulur nivelin e squfurit, rafineritë përdorin shumë hollues, i cili më tej dëmton pikën e flakërimit.

Revista Monitor,  17.05.2018