Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompanitë nuk duan më fjalët gaz dhe naftë në emrat e tyre

Gjigandi norvegjez i naftës Statoil ka ndërruar zyrtarisht emrin dhe do të quhet tashmë Equinor. Pse? Sepse sot, një përbërës si fjala “oil” (naftë) po bëhet gjithmonë e më tepër një disavantazh.

“Asnjë nga konkurrenca jonë nuk e ka atë në emër. Ne na ka shërbyer mirë për 50 vite, por nuk mendoj se do të ishte emri më i mirë për 50 vitet e ardhshme”, u shpreh drejtuesi i Statoil, Eldar Saetre. Sipas tij, emri i ri do të tërheqë talentet të reja, të cilët me shumë gjasa do të jenë më të interesuar në aktivitetet e tjera të Statoil në energjinë e rinovueshme, se sa në karburantet fosile.

Saetre ka të drejtë, pasi shumë prej konkurrentëve më të mëdhenj nuk e kanë fjalën “naftë”, “gaz”, apo “petroleum” në emrin e tyre. Të tilla janë kompani si “Saudi Aramco” e cila vjet gjeneroi mbi 455 miliardë dollarë të ardhura, apo Sinopec, ExxonMobil, Royal Dutch Shell, Total, Eni, Valero Energy, Chevron dhe Pemex, të ardhurat e të cilave variojnë nga 448 miliardë deri në 117 miliardë dollarë.

Ndryshimi i kompanisë norvegjeze ndjek edhe një treg më të gjerë në industri. Në të shkuarën shumë kompani e kanë eliminuar fjalën naftë apo gaz nga emri i tyre. Vetëm vitet e fundit, ‘Danish Oil dhe Gas” u bë ‘Orsted”; “Laclede Gas” u bë “Spire”, “Gas de France Suez” u bë “Engie”, “Neste Oil” u bë thjesht “Neste”.

Kompanitë e naftës dhe gazit, edhe pse varen ende shumë nga këto të fundit, po kërkojnë gjithmonë e më tepër të diversifikojnë biznesin e tyre. Rritja e shpejtë e energjive të rinovueshme, sfidat e ndryshimeve klimatike dhe presioni nga qeveritë për të reduktuar ndotjen janë nxitës të shumë prej këtyre ndryshimeve.

Në 2017, Shell bleu “First Utility”, një furnizues britanik të elektricitetit, si dhe “NewMotion”, një ofrues të pikave të karikimit për automjete elektrike. Kompani të tjera po fokusohen edhe në blerjen e kompanive që prodhojnë energji nga burime të rinovueshme.

Ndërkohë, ky presion për të ndërruar emrat nuk është i njëjtë për kompanitë shtetërore në industrinë e naftës dhe gazit. Të tilla janë kompani si “Korporata Kombëtare e Kinës e Petrolit”, “PetroChina”, “Korporata e Petrolit e Kuvaitit”, “Lukoil”, “Petrobras”, “Kompania Shtetërore e Naftës e Iranit”, “Gazprom”, “Petronas” , etj., të ardhurat e të cilave variojnë nga 428 miliardë deri në 100 miliardë dollarë për vitin e kaluar.

Scan Tv,  16.05.2018