Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Përpunimi i naftës, pak vlerë e shtuar

Më pak se 10% e naftës bruto të nxjerrë gjatë viteve të fundit është përpunuar në vend. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se, megjithëse Shqipëria nxjerr lëndë të parë fosile dhe kryesisht naftë bruto në sasi të mëdha, vlera e shtuar e përfituar në vend është modeste.

Për periudhën 2012-2016, mesatarisht 90% e kësaj lënde të parë është eksportuar jashtë vendit. Niveli më i lartë i eksporteve është arritur në vitin 2012, me 99.9% të totalit, ndërsa më i ulët në vitin 2014, kur 82% e lëndës së parë të nxjerrë ka ngelur në vend.

Lënda e parë fosile që nxirret në Shqipëri konsiston kryesisht në naftë bruto dhe bitum, për të cilat janë ngritur rafineri përpunuese në Ballsh dhe Fier. Por, për shkak të mungesës së investitorëve seriozë gjatë dekadës së fundit, në këto rafineri është punuar pak dhe me ndërprerje të shumta.

Kjo ka bërë që shumica e lëndës së parë që nxirret në vend të shkojë për eksport. Sipas Instat, lëndët e para fosile të energjisë të prodhuara në Shqipëri arrijnë çdo vit në më shumë se 1 milion tonë.

Rekord është shënuar në vitin 2014, kur prodhimi arriti në afro 1.5 milionë tonë. Për vitet në vazhdim, prodhimi ka ardhur në rënie, edhe si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme të çmimeve të lëndëve të para, që ka frenuar investimet nga kompanitë e industrisë nxjerrëse.

Scan TV,  20.04.2018