Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, në nivelin më të lartë të 3 viteve

Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht gjatë ditës së sotme, por megjithatë po tregtohen pranë nivelit më të lartë në tre vitet e fundit. Marrëveshja e OPEC për të ulur prodhimin dhe kërkesa e fortë vijojnë të mbështesin çmimet.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 73.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet pranë 68.1 dollarë për fuçi. Të dy bençmarkët kryesorë po tregtohen në nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit 2014.

Gjatë kësaj jave, nafta Brent ka fituar rreth 1.5% të vlerës, ndërsa nafta Bruto është rritur me rreth 1%.

Gjithsesi, investitorët po tregohen të kujdesshëm, për shkak se ministri rus i energjisë, Alexander Novak, deklaroi se, OPEC së bashku me prodhuesit e tjerë, mund të lehtësojnë uljen e prodhimit, gjatë këtij viti.

Karteli i prodhuesve të naftës dhe disa vende të tjera që nuk janë pjesë e organizatës, vendosën të ulin prodhimin në fillim të vitit 2017 dhe kjo marrëveshje do të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti.

Në anën tjetër, rezervat tregtare të vendeve të industrializuara, anëtare të OECD parashikohet të bien në nivelin më të ulët që nga tremujori i tretë i vitit 2014. Sipas analistëve, rënia e rezervave të naftës është edhe rezultat i kërkesës së fortë.

Scan Tv,  20.04.2018