Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci, debate mbi importin e gazit

Plani afatgjatë i Kroacisë për të importuar gaz natyror të lëngëzuar dhe të shndërrohet në një qendër energjetike të BE-së, ka bërë përparime gjatë këtij viti. Por, problemet vazhdojnë, madje edhe pasi një komitet i emëruar nga qeveria tha se një terminal i GNL-së (Gazit Natyror të Lëngshëm) nuk do të kishte ndonjë ndikim negativ në mjedisin ose ekonominë e ishullit të Krk.
Grupet të ndryshme ambientaliste dhe komunitetet lokale në Krk shpeshherë kanë ngritur shqetësime rreth efektit të mundshëm të GNL-së në sigurinë dhe turizmin e vendit. Në fakt, ata më shumë po lobojnë për një terminal më të shtrenjtë, sesa për një ndërtim lundrues, apo që projekti të hiqet krejtësisht.

Projekti ka mbetur në stanjacion vitet e fundit, për shkak të disa mosmarrëveshjeve që ekzistojnë mbi çështjen e tokës dhe mungesës së fondeve. Ndërsa tani që fondet duket se nuk janë më një problem dhe likuiditeti po i mbush arkat e ishullit të Krk-së, opozita publike dhe dyshimet rreth qëndrueshmërisë aktuale ekonomike të planit po ndikojnë në pengimin e një projekti të tillë të qeverisë kroate.

Komisioni Europian nënshkroi vitin e kaluar një marrëveshje mbi gratin, me vlerë mbi 100 milionë euro, rreth 30% e kostove të projektit.
Në momentin që u bë publik investimi i Komisionit, shefi i Çështjeve Klimatike të BE-së, Miguel Arias Cañete, këmbënguli se Krk-ja do të rriste diversifikimin e furnizimit me energji, ndërsa Komisioneri i Komisionit, Maroš Šefçoviç, tha në një konferencë në Zagreb në janarin e këtij viti se projekti ishte i rëndësishëm edhe në kuadër të përpjekjeve për të përfunduar Bashkimin Energjetik.
Edhe pse qeveria ka vendosur që t’i japë këtij projekti statusin strategjik, pikëpyetjeve në lidhje me mbulimin e pjesës tjetër të kostos prej 360 milionë eurosh, nuk i ka dhënë askush një përgjigje.

Në fakt, shefi i GNL-së Hrvatska (kompania që fshihet pas këtij projekti), Goran Frančić, tha se muaji qershor do të ishte afati final i marrjes së një vendimi përfundimtar mbi investimin. Komisioni tha se grantet do të jepeshin të gjitha përpara dhjetorit të 2019-s, por priste që punimet ndërkohë të kishin filluar që prej muajit shkurt.

Shmangie pengesash

Më 8 mars, projekti kaloi një pengesë të rëndësishme ligjore duke siguruar dritën e gjelbër nga një Komitet Këshillues prej 16 personash mbi efektet e tij të mundshme në mjedis. Në analizën e vlerësimit të tij, Komiteti deklaroi se terminali nuk do të kishte asnjë ndikim në turizëm, duke cituar një projekt të ngjashëm që ka filluar të veprojë në Lituani vitin e kaluar.

Kritikët kanë vënë në dukje faktin se krahasimi nuk është ai i duhuri, sepse Kroacia është shumë më e varur nga turizmi sesa Lituania.
Një vendim përfundimtar pritet të merret nga Ministria e Energjisë, e cila nuk pritet që të dalë në kundërshtim me vendimet e Komitetit.
Lejet pritet të jepen muajin e ardhshëm dhe grupet ambientaliste të tilla si Zelena, kanë deklaruar se kanë ndër mend ta apelojnë vendimin.
Përtej shqetësimeve mjedisore që projekti mund të sjellë, është ngritur edhe një debat ekonomik në lidhje me faktin nëse GNL-ja mund të rezultojë të jetë një biznes fitimprurës apo jo.

Kroacia dhe Komisioni Europian e kanë cilësuar Krk-në si një portë energjie për Europën Jugore, por një numër i madh terminalesh që operojnë në këtë zonë po përpiqen për të siguruar një fluks të qëndrueshëm të importeve, duke qenë se edhe kapaciteti potencial i kësaj zone është shfrytëzuar shumë.
Sipas shifrave të fundit, terminali i GNL-së i Exxon Mobile në Adriatik është i vetmi objekt që vepron mbi 50% të kapacitetit, duke shkuar deri në 71%. Dy terminalet e tjera të vendosura në ujërat italiane nuk arrijnë të shkojnë as mbi 10% të kapacitetit. Biznesi i eksportit të GNL është pjesë e rëndësishme e politikës energjetike të administratës Trump, e cila çuditërisht e mbështet projektin e Krk-së.
Gjatë një vizite në Uashington në janar të këtij viti, ministrit të Brendshëm kroat, Davor Bozinoviç, iu tha nga zyrtarët e energjisë të SHBA-së se ky projekt ka mbështetje të fortë nga ana e tyre. Por tarifat e fundit të vendosura nga z. Trump mbi alumin dhe çelikun mund të ndikojnë në dobësimin e pozicionit të këtij vendi në eksportin GNL.

Firma e gazit natyror Freeport ka paralajmëruar se këto masa mund të ndikojnë në rritje të kostove të ndërtimit nga 3% deri në 5%, pasi çeliku përbën mesatarisht rreth 30% të kostove të shpimit. Ekspertët besojnë se, nëse tarifat do të shkaktojnë një luftë tregtare me Kinën, aspiratat e SHBA-së për t’u përpjekur që të arrijë të njëjtat nivele të “Liderit të eksporteve të GNL-së, Australisë, mund të rezultojnë të jenë të suksesshme, pasi Lindja e Mesme është një ndër blerësit më të mëdhenj në periudha afatgjata të gazit.

Qëndrimi i Komisionit dhe Parlamentit

Projekti i GNL-së së Krk-së u kualifikua nga Brukseli vetëm sepse ai ishte pjesë e një liste të projekteve prioritare të energjisë (lista PCI). Shembuj të tjerë të kësaj liste janë edhe interkonektori i energjisë elektrike në Gjirin e Biskajës dhe tubacioni Trans-Adriatik (TAP).
Por kjo listë e projekteve prioritare të energjisë duket se ka shkaktuar kohët e fundit zemërimin e një grupi ndërpartiak të deputetëve, të cilët u ankuan se Komisioni kishte përfshirë në këtë listë shumë projekte të gazit dhe se ishte në kundërshtim me ambiciet e bllokut sipas Marrëveshjes së Parisit.

Për herë të parë, ligjvënësit paraqitën një kundërshtim të suksesshëm të kësaj liste prioritetesh, e cila është në vitin e saj të tretë, dhe që u hodh për votim fillimisht në Komitetin e Energjisë të Parlamentit dhe më pas, në një mbledhje të plotë të asamblesë së BE-së. Në të dyja rastet, mocioni për të hedhur poshtë listën u votua nga eurodeputetët, por sipas votimit përfundimtar, vetëm 25% e ligjvënësve e mbështetën këtë kundërshtim, rezultat ky i cili për autorët e rezolutës u cilësua si një fitore.

Sipas legjislacionit të BE-së, eurodeputetët u përjashtuan nga votimi mbi elementët individualë të kësaj liste dhe iu dha e drejta për të dhënë mendimin vetëm në fund, nëse ishin dakord apo jo me të gjithë listën në tërësi. Vetëm 3 prej 11 deputetëve të Kroacisë votuan në favor të listës.
Marijan Petiri, anëtare e PPE-së, tha për EURACTIV se e mbështeti listën e projekteve prioritare të energjisë për shkak të nevojës që ekziston në kuadër të përmirësimit të lidhjeve energjetike mes Europës Qendrore dhe asaj Lindore. Ajo shtoi se çështja shkon përtej projektit të terminalit të Krk-së, duke qenë se Kroacia ka edhe pesë projekte të tjera prioritare në këtë listë.

Homologu i saj i ALDE (Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Europën), Jozo Rados, tha se kishte votuar në favor të kësaj liste për shkak të numrit të madh të projekteve të energjisë elektrike të përfshira në të. Ai shtoi se ndërtimi i një rrjeti europian të GNL-së do të parandalonte “shantazhin” që bëhet nëpërmjet çmimeve të larta të gazit

EURACTIV,  16.04.2018