Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta i rikthehet fitimeve, pritet takim mes Kim Jong Un dhe Trump

Çmimet e naftës po publikojnë fitime në sesionin e fundit të kësaj jave, pas dy ditësh në rënie, për shkak të optimizmit mbi planifikimin e një takimi mes liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Kim ka premtuar se do të tërhiqet nga testimet e raketave, duke ndikuar në rritjen e aksioneve aziatike dhe të tregut të naftës. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 64 dollarë për fuçi, ndërsa nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.4 dollarë për fuçi.

Megjithatë, përgjatë kësaj jave dy bençmarkët kryesorë pritet të publikojnë humbje prej rreth 1%. Megjithatë, analistët kanë paralajmëruar se, tregu vijon të përballet me rreziqe, për shkak të rritjes së rezervave dhe prodhimit në SHBA.

Të dhënat e publikuara nga Administrata për Informimin mbi Energjinë treguan se, prodhimi i naftës është rritur me 23%, që nga mesi i vitit 2016, në një total prej 10.37 milionë fuçi në ditë.

Analistët e Commerzbank parashikojnë një rritje të mëtejshme të aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA, që përkthehet në rritje të prodhimit.

Tashmë Shtetet e Bashkuara prodhojnë më shumë se Arabia Saudite, që është eksportuesi më i madh në botë. Vetëm Rusia prodhon më shumë se SHBA, në rreth 11 milionë fuçi në ditë.

Nëse çmimet qëndrojnë në këto nivele, kompanitë amerikane të energjisë do të rrisin prodhimin, pasi kanë një kosto më të ulët, krahasuar me vendet në Lindjen e Mesme.

Scan Tv,  09.03.2018