Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bie nafta, ndikon dorëheqja e Cohn

Çmimet e naftës i janë rikthyer humbjeve në sesionin e sotëm, pas 5 ditësh në rritje, për shkak të dobësisë së shfaqur në tregun e aksioneve.

Një ndër këshilltarët kryesore të presidentit Trump për tregtinë e lirë ka dhënë dorëheqjen, duke shtuar mundësitë se Uashingtoni zyrtar do të ecë përpara në vendosjen e tarifave për importin e aluminit dhe çelikut.

Në këtë mënyrë, është shtuar frika për një luftë tregtare midis dy rajoneve më të mëdha ekonomikë në botë, pasi edhe Bashkimi Europian ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet.

Gjithashtu, edhe rritja e prodhimit dhe rezervave në SHBA ka ndikuar në rënien e çmimeve. Gary Cohn, këshilltari ekonomik i presidentit Trump, i cilësuar si një kundërshtar i proteksionizmit, deklaroi se do të japë dorëheqjen, duke shkaktuar një rënie me mbi 1% të Wall Street.

Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.2 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.1 dollarë për fuçi. Lëvizja e Cohn, që ishte një zë i Wall Street brenda Shtëpisë së Bardhë, vjen pas dështimit për të bindur presidentin Trump për të mos vendosur tarifa shtesë për importin e aluminit dhe çelikut.

Fuqitë më të mëdha globale, si Bashkimi Europian dhe Kina, kanë paralajmëruar se do të vendosin tarifa shtesë për produktet që importohen nga SHBA.

Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës bruto në Amerikë u rritën me 5.66 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 2 mars, në totalin e 426.88 milionë fuçive.

Në anën tjetër, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë parashikon se, prodhimi i naftës në SHBA do të rritet në 11.17 milionë fuçi në ditë, gjatë tremujorit të katërt të këtij viti. Kjo do të thotë se, SHBA do të tejkalojë edhe Rusinë, duke u bërë prodhuesi më i madh në botë i naftës.

Scan Tv  08.03.2018