Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arabia Saudite e gatshme të ulë prodhimin e naftës

Çmimet e naftës i janë rikthyer fitimeve, duke zgjeruar fitimet e sesionit të kaluar, për shkak të dollarit të dobët dhe komenteve të Arabisë Saudite, që deklaroi se marrëveshja e OPEC për uljen e prodhimit do të vazhdojë derisa kërkesa të jetë më e vogël se oferta. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 60.9 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit me rreth 2.6%.

Çmimet e naftës u mbështetën edhe nga dobësimi i dollarit amerikan përballë monedhave kryesore ndërkombëtare. Tregjet e naftës gjetën një mbështetje edhe nga komentet e Arabisë Saudite, që është de-facto lideri i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, që shprehu mbështetjen për një shkurtim të mëtejshëm të prodhimit nëse do të jetë e nevojshme. Që nga janari i vitit 2017 e deri në fund të këtij viti, OPEC, Rusia dhe nëntë vende të tjera prodhuese kanë vendosur të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë.

Sipas analistëve, kjo sugjeron se OPEC dhe aleatët e tjerë janë të vendosur të ulin prodhimin për të rritur çmimet. Por, rritja e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbi 10 milionë fuçi në ditë, kërcënon efektshmërinë e kësaj marrëveshjeje. Referuar të dhënave zyrtare, prodhimi i naftës në SHBA u rrit në 10.27 milionë fuçi në ditë, duke tejkaluar Arabinë Saudite. Për pasojë edhe rezervat e naftës në SHBA u rritën me 1.8 milionë fuçi në ditë, gjatë javës që u mbyll më 9 shkurt, në totalin e 422.1 milionë fuçive, njoftoi Administrata për Informimin mbi Energjinë.

Scan Tv,  16.02.2018