Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri në SHBA, diskutime për TAP dhe IAP

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Z.Damian Gjiknuri nisi një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit në Washington dhe në New York, ai do të zhvillojë takime me funksionarë të lartë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Energjisë ashtu sikurse kongresmenë dhe përfaqësues të kompanive të njohura amerikane në fushën e energjisë.

Takimi i parë i ministrit Gjiknuri u zhvillua me të ngarkuarën e posaçme për çështjet e energjisë në Departamentin e Shtetit, znj. Sue Saarnio.

Thellimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të përpjekjeve për rritjen e sigurisë energjetike në Evropë, Korridori Jugor i Gazit dhe ecuria e ndërtimit të gazsjellësit TransAdriaticPipeline (TAP) ishin në fokusin e bashkëbiseduesve. Ministri Gjiknuri njohu zyrtaren amerikane me hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për lehtësimin e fazës ndërtuese të këtij projekti mjaft të rëndësishëm që ndryshon hartën energjetike të vendit.

Z.Gjiknuri u ndal edhe tek projekti JonianAdriaticPipeline (IAP) duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që po i japin këtij gazsjellësi të ri që prek jo vetëm Shqipërinë por Malin e Zi, Bosnjen dhe Kroacinë.

“Në një kohë kur projekti TAP tashmë është në fazën intensive të realizimit, po punojmë ngushtësisht me vendet fqinje për të bërë realitet edhe degëzimin me IAP. Gjithashtu, në kuadër të diversifikimit të burimeve të energjisë, kemi përfunduar tashmë masterplanin për gazifikimin e vendit”, theksoi z.Gjiknuri.

Një tjetër fushë e diskutuar gjatë takimit ishte ajo e hidrokarbureve. Përfaqësuesja e Departamentit të Shtetit nënvizoi gatishmërinë e qeverisë amerikane për të vazhduar bashkëpunimin me dhënie ekspertize në kuadër të mirëmenaxhimit të vendburimeve të naftës.

Ministri Gjiknuri insistoi se përveç ekspertizës edhe prezenca e kompanive amerikane me eksperiencë në fushën e hidrokarbureve do të ndihmonte në këtë drejtim. Gjatë takimit u fol edhe për planet e qeverisë shqiptare për zhvillimin e blloqeve të lira të kërkimit në tokë e det ashtu sikurse për ristrukturimin e kompanisë shtetërore të naftës Albpetrol.

energjia.al  06.02.2018