Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pse duhet të nacionalizohet ARMO?

Historia e ARMO-s nis që në vitin 1999, ku Shqipëria kishte marrë detyrë për të zhvilluar me çdo çmim privatizimin qelizor të ekonomisë së saj, edhe pse nuk kishte asnjë lloj shtrati për të ecur me sukses në këtë rrugë. Kjo situatë bëhej më e vështirë në sektorët, ku kapitali i kërkuar ekonomik dhe financiar ishte mjaft i madh dhe ku kërkohej një zhvillim i studjuar që kërkonte në rradhë të parë zhvillimin dhe evidentimin cilësor të mallrave Made in Albania por edhe një përfaqsim dinjitoz të këtij tregu. Kompania ARMO, që lindi nga shpërbërja e korporatës ALBPETROL ishte kompania e vetme që arriti të mbijetonte në kushte pronësie shtetërore dhe kjo, jo falë qeverive të majta dhe të djathta, por falë manxhimit të saj që vinte nga dëshira për të punuar. Ajo që qeveritë e majta dhe të djathta kanë bërë, ka qenë përdorimi politik në fushata dhe gjatë kohës në pushtet për përfitime politike dhe vota dhe korrupsione të zhvilluara dhe përvetësuara nga beniaminët e emëruar nga këta qeveritarucër me kollare të bardhë, të cilët tregun e pronës publike e kanë kthyer në baçen e përfitimevet për veten e tyre dhe familjarëve të tyre. Nuk është e lehtë për asnjë privat apo kompani private të mbijetojë, pa sakrifica, pa mund dhe punë dhe madje, edhe here pas here edhe me gjak. Kjo histori gjaku dhe djerse e ka përfshirë ARMO-n dhe në mënyrë të veçantëdy rafineritë dhe TEC-in e saj. Askush si një pronar i vetëm apo grup pronarësh të vegjël nuk mund ta manaxhojë ARMO-n, pa stafin e saj manaxherial, i cili është po ai që ishte në shtet, por veçse me detyra të reduktuara në funksion të interesave personalë të privatëve. Sigurisht analiza dhe konkluzioni i këtij artikulli bien ndesh me nivelin e drejtimit qeveritar dje dhe sot, sepse këta nuk pranojnë të kenë në drejtim stafe dhe njërëz të përkushtuar që manaxhojnë kompaninë. Kompania ARMO apo çdo kompani shtëtërore shihet si një mundësi potenciale për të nxjerrrë përfitime ekonomike dhe politike. Duhet të pranojmë se shoqëritë janë aksionere dhe shoqëritë e përmasave të tilla kanë impakte në tatime, në mardhëniet me furnitorët dhe në marëdhëniet me punonjësit. Përgjegjësitë e kompanisë përveçse financiare dhe tregëtare janë edhe mardhënie sociale. Ajo që ka ndodhur në kushtet e administrimit privat, duke thelluar borxhin publik për shkak të mospagimit të tatimeve, vjedhjes së pagave të punonjësve në formën e mospagesës, marrja e kredive tregëtare afatshkurtër apo afatgjatë kanë treguar se ne jemi ende të papjekur si shoqëri dhe të paftë si shtet pët ta manaxhuar raportet e monitorimit të shoqërive si ARMO.

Po pse duhet të rinacionalizohet ARMO?

Po nisem nga të dhënat teknike dhe teknologjike të Rafinerive. Po marr Rafinerin e Ballshit pasi ajo është më problematike për sa i përket nivelit të humbjeve. Humbjet teknike të uzines llogariten 3.2% sipas pasaportës së saj (Bota sot i ka rafineritë 0.5-1%) (Por mos harroni po flasim për një rafineri, e cila ka në pasaportën e saj si lëndë të parë naftë të rëndë dhe të kripur, gjë që rrit humbjet). Mbi bazën e këtij parametri edhe çmimi i saj është në blerje 1.5% më i lirë për çdo grad API nën nivelin Brent të cilësisë. Niveli i humbjeve duhet të monitorohet të paktën çdo ditë dhe me bilance verifikuese një herë minimumi në muaj ose për raste kontrolli apo dyshime të arsyeshme edhe më shpesh. Arsyet e këtij monitorimi tregojnë se ku dhe pse niveli i humbjeve ka ndryshuar duke përcaktuar edhe kurën e ndërhyrjeve, e cila mund të jetë emergjente apo mund të monitorohet për të mos ndikuar në mjedis. Por çfarë ndodh, nëse këto humbje nuk duhet të monitorohen dhe korigjohen?. Kjo siguron dy probleme të mëdha: Problemi i parë është vjedhja. Në emrin e rritjes së humbjeve rriten abuzimet me sasinë e naftës së përpunuar, duke i vënë emrin e humbjeve teknike dhe kjo padyshim që është burim i evazionit fiskal. Nga ana e tatimeve kjo situatë është e pakapshme, sepse verifikimi fizik i saj duhe të bëhet me dy kontrolle fizike të njëpasnjëshme, ku ka mjaft qoshe dhe pika të errëta, të cilat bëjnë që humbjet të rriten fiktivisht. Përballë kësaj arsyeje, tatimet nuk kanë zgjidhje veçse t’i referohen parametrave teknike dhe të ribëjnë llogaritjet sipas parametrave teknikë. Problemi i dytë lind me saktësinë e situatës. Të dy palët luftojnë për fituar në kurriz të njëri tjetrit. Privati kërkon të shpëtojë nga tatimet, duke shitur pa faturë në emër të rritjes së humbjeve. Nga ana tjetër tatimet nuk njohin gjëndjen reale dhe i njohin si të ardhura humbjet. Për ta konkretizuar këtë situatë, kjo është si tek ujësjellësi apo OSSHE. Ato kanë një nivel humbjesh të njohura për ujin rreth 30% dhe për energjinë 12.5%. Në fakt parametrat realë janë për ujin 65-70% ujë humbje dhe për energjinë rreth 30%. Nqs tatimori do të punonte me bilancin e ujit atëhere për 30-40% të ujit të pa fatuaruar dhe 20% të energjisë së pa faturuar do të kërkonte TVSH e munguar, pasi ky ujë apo energji mungonte dhe është shitur pa faturë. Kjo do të kërkohej, nëse do të ishte private. Por duke qënë shtet mbyllet syri dhe paguan qytetari. Situata në rafineri është më kritike, sepse në këtë rast nuk kemi vetëm TVSH, por edhe tatime të tjera, të cilat kanë një peshë mjaft të lartë siç janë akcizat, taksa e karbonit apo TVSH-ja. Efekti i tyre është gjeometrik mbi njëra tjetrën që do të thotë koeficentët e ndikimit nuk rriten në progresion arithmetik, por gjeometrik. Pra, tatimet shumëzojnë njëra tjetrën. Pra edhe në kushte e një të vërtete në nivelin e humbjeve, barra tatimore që paguan është e tmerrshme dhe e gjithë kjo ndikon në aftësinë paguese të firmës. Rruga për të arritur tek e vërteta shpesh ka qënë e tmerrshme. Është arritur edhe në inskenime për zjarrvënie të qëllimshme për të justifikuar të drejtat dhe të padrejtat. Dhe kjo në emër të mbulimit të vjedhjeve dhe humbjeve dhe për t’i shpëtuar tatimeve. Elementi i dytë është strategjia për të bërë të kontrollueshme situatën. Për të bërë të kontrollueshme situatën është monitorimi i rafinerive nga qëndrat tatimore me kamera dhe spiunë që kontrollojnë lëvizjen e lëndës së parë, gjysmë produktit dhe produktit të lëndës së parë, jo vetëm në aspektin, se ku shkoi apo u fut, por edhe në sasitë ekuivalente. Pra saktësisë së lëvizjes dhe strukturës së prodhimit, gjysmë prodhimit e lëndës së parë. Historitë e faktet e konstatuara gjatë edhe përvojës sime më kanë lënë shijen, se kontrolli absolut është i pamundur. Kjo për faktin se Uzina ka qënë e menduar dhe projektuar pa idenë se duhen llogaritur dhe paguar tatimet. Në kohën e ndërtimit është menduar se vjedhja ishte vepër armiqësore dhe sabotim, për pasojë pasojat ishin fatale për këdo që vidhte në përmasat e aplikuara dhe që raportohen deri tani. Elementi i tretë i rëndësishëm është partneri strategjik. Partneri strategjik sot nuk duket në horizont me një plan të menduar, se si uzina do të punonte në kushte rentabël. Ajo çka kemi shijuar dhe parë deri tani është se investimet e huaja janë joshur dhe eleminuar nga skema e tatimeve, minimumi për disa vite, për të mos thënë hequr apo përjashtuar nga disa lloj barrash tatimore. Nuk është se u paraqit dikush në qeverinë shqiptare dhe tha se unë marr uzinën dhe për këtë duhet të më përjashtoni nga tatimi kaq vjet, se kjo barrë tatimore nuk duhet të jetë dhe në kulmin e interesave private qeveritë cilatdo ajo, nuk u bën urë në emër të përfitimit privat. A ka shëmbull më të qartë kur sipërmarrësi i ARMO-s dhe ish-privatizuesi thonë, që rafineria e Ballshit punon me humbje, sepse ajo nuk jep fitim? A sështë e deklaruar edhe kjo nga ministrat blu dhe rozë dhe të LSI-s që kjo rafineri nuk është rentabël, por prodhon humbje?. Pyetja që lind është: si ka mundësi që konvergojnë këta? Po pse nuk konvergojnë specialistët? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Për çdo sipërmarrës privat kjo është devizë e njohur, nëkushtet e maksimizimit të fitimeve të tij . Ai kërkon të përfitojë në mënyrën më të lehtë të mundshme. Por që kjo të jetë edhe në gojën e ministrave kjo do të thotë çmenduri. Ҫmenduria qëndron sepse ne kemi pasur dhe kemi ministra jo kompetent, që bëjnë kompetentin në ekonomi dhe financë. Përgjigja e parë për sqarimin më vjen nga njëide e thjeshtë. U krye një privatizim prej 128 milionë euro dhe 250 milionë të tjerë do të hidheshin pra gati 400 milionë euro investime duke marrë parasyesh edhe borxhin e mbartur. A mund të të merreshin 400 milion euro në kuadrin e 5 viteve kur ajo prodhonte humbje? Nëse po, si?.Skam parë asnjë përgjigje. Ajo që kam parë dhe më ka lënë pa gojë është që në vitin 2013 qeveria lejoi një askush(AZER) të vijonte vjedhjen makabre, duke vjedhur jo vetëm tatime por edhe duke rritur kostot, jo vetëm me me rritje humbjesh teknologjike, por edhe me paga drejtuesish mbi 1.5 milionë lekë të reja në muaj dhe shërbime juridike për studio ligjore për të groposur punonjësit e pushuar padrejtësisht me 10 mijë euro në muaj. A i ka shkuar ndonjëherë në mëndje qeverisë, që kur lëshoi pe të kontrollonte dhe shtonte administrimin e saj? Po pse duhet të mos i mbronte borxhlinjtë individë. Ҫfarë detyrë ka ministri, kur nuk mbron pasurinë e individit apo individëve. Kujt i duhej ky ministër përveç llumit dhe krimit? Këta individë dhe furnitorë janë vjedhur, edhe pse kanë pasur një aktivitet të ligjshëm? A i mbron ligji dhe ministri këta apo ai duhet vetëm të degjenerohet dhe vidhet, sepse është viktimë, ndërsa hajduti duhet të pritet me nderime? Përgjigja e dytë: Ok po pranojmë verisonin fillestar që kompania ishte me humbje. Po ky që e bleu nuk e dinte që ishte me humbje? Nuk e dinte sa ishte kostoja e prodhimit? Nuk e dinte sa vinin nënproduktet nga importi? Sigurisht që e dinin si i pari dhe i dyti dhe i treti e dinë të gjithë ata që janë të interesuar në këtë biznes. Por ajo që nuk dimë ende është se ky investim i privatit sa do të ulte koston dhe humbjet dhe si do të bëhej më eficiente uzina? Të thuash sot që uzina del me humbje dhe e vëmë në punë për të mbajtur në punë punonjësit është një tjetër çmenduri. Dhënia tek privati në emër të uljes së kostos dhe përmirësimit teknologjik ishte shkaku i dhënies apo privatizimit. Pse del kjo alibi tani? Nuk di të ketë një shkak tjetër që justifikon kalimin e pronësisë me arsyen, sepse duhet mbajtur me paratë e privatit punonjësit. Nuk e di ende, se ata që e privatizuan janë të tipit të OJF-ve Caritas, që s’kanë ku t’i çojnë paratë dhe bëjnë bamirësi. Nuk iu dha privatit se çdo gjë shkonte vaj. Iu dha, jo vetëm për ta menaxhuar, por edhe për ta modernizuar, dhe ato ishin kosto, apo investim që do të merrej pas rehabilitimit. Tashmë nuk ka horizont. Horizonti që duket është vjedhja në bashkëpunim. Por tashmë janë ezauruar kreditë me kolateral. Investitorët privatë i janë sulur tatimeve të shtetit, barrës që paguajnë qytetarët shqiptarë. Nuk e kuptoj se çfarë kërkon më qeveria të bëjë në paligjshmërinë e saj. Të lejoj vjedhjen e mëtejshme? Kjo s’ka udhë e anë. Megjithatë lënia në mëshirë kur shteti ka ende 15% me një partner që ka lënë çdo gjë, na kthen në vitin e mbrapshtë 1997, kur shteti ka rënë. Përgjigja e tretë: Qeveritarët kanë marrë përsipër barrën e manaxhimit jo vetëm të pasurisë kombëtare, në cilëndo formë ajo qoftë, por pasuri kombëtare është edhe pasuria e individit, krahu i punës, dijenitë dhe aftësitë e profesionale të këtyre naftëtarëve, pa të cilën nuk vihet në punë ajo uzinë. Por si çdo uzinë e një ndërlikimi të lartë ajo ka krijuar brezin e vet, i cili u krijua në Kinë dhe Itali dhe që shërbeu për krijimin e brezave pasardhës, brezave që mbajnë ende atë uzinë. Ata që do ta rinovonin me teknologjinë e re duhet të mendonin investimet në kualifikimin dhe implementimin e teknologjisë së re dhe zëvëndësimin e së vjetrës. Po ku ishin këto kualifikime? Kjo, sepse qeveritë aktuale po e bëjnë problematike thënien se s’ka specialistë. Përgjigja e katërt: janë faktet e manxhimit. Manxhimi publik vërtetoi se ishte disa fish më i mirë se sa ai privat. Pavarësisht termave të përdorur se norma e akçizës ishte 20 lekë atëherë dhe 37 lekë tani, apo çmimi i naftës bruto nga Albpetroli ishte më i ulët se ai i sotmi që blihet. Të gjitha këto janë flluska sapuni. Në dijeninë time Rafineria në Ballsh arriti kulmin e humbjve në vitin e mbrapshtë 1997 ku niveli i humbje në një tremujor (tremujori dytë) arriti 17%, por ai nivel ra në 4% në fund të atij viti dhe asnjëhere nuk e kaloi atë shifër më vonë, sa ishte pronë shtetërore. Po kështu Uzina kalonte në remont jo më pak se dy herë në vit me ndalesa 1-2 muaj. Ajo punonte dhe përpunonte jo më shumë se 250-300 mijë ton naftë në vit. Prodhimi i ujit të freskët, transporti i tij kishim probleme të mëdha me ndërhyrjet në sistemin e ujësjellësit nga fshatrat e krahinës dhe qyteti, ku sasia e ujit që merrej ishte mjaft e madhe dhe sasia që faturohej ishte mjaft e ulët dhe kur pagesat e ujit nuk vinin kurrë. Prodhimi i ujit të pastër dhe avullit për shkak të amortizimit të kaldajave prodhoheshin me kosto të lartë për njësi energjie të shpenzuar. Pavarësisht çmimit të naftës bruto, që merrej nga Albpetroli efekti ishte domino, sepse korporata elektroenergjitike KESH e merrte mazutin me çmim të brëndshëm dhe jo tregu (për TEC-in Fier), dhe po kështu Albpetroli e merrte holluesin me një çmim qesharak (për injektim në shtresë). Nëse këto rillogaritje bëheshin palë e dëmtuar dilte ARMO. Pra problemi i çmimit të brëndshëm ishte funksion i funksionimit të kompanie shtetërore dhe jo thjesht një politikë përfituese nga ARMO. Ajo që theksohet është se situata sot nga privati nuk kërkon evidentim e tërë pasqyrës, por veç theksimin e anëve të këqija që ndikojnë në nivelin e të ardhrave dhe rritjen e kostove. Pra e thënë troç uzina punonte nën kapacitet dhe me shpenzime ekstra. Përgjigja e pestë: Manaxhimi privat nuk e përmirëson situatën, por thjesht kërkon ta monopolizoi atë. ARMO ishte dhe mbetej jashtë marrëveshjeve oligopole, sa kohë qëmbetej publike dhe ishte një mekanizëm sistemi, që dërmonte oligopolin indirekt duke krijuar kushtet e një tregu të shëndetshëm konkurrencial. Dikush nuk e donte dhe prandaj ajo s’duhet të punonte. Kjo shkon në drejtim të kundërt me rregullat bazë të një ekonomi tregu konkurrenciale. Kjo shkon në drejtim të kundërt me interesat e popullit shqiptar, në drejtim të kundërt të rritjes më të shpejtë ekonomike Përgjigja e gjashtë. Shteti pa vetëm të mira nga ARMO, e cila në vitet 2003, derdhte çdo muaj në buxhet 5-7% (rreth 400-600 milijon lekë( të rinj) në muaj) të të ardhurave buxhetore nga tatimet dhe që përbënte 65% të ardhurave nga tatimet nga kjo industri. Pra të gjitha shoqëritë që vepronin në tregun me shumicë paguanin jo më shumë se 35% të tatimeve dhe që zinin rreth 75% të tregut të karburanteve. Kjo ishte një situatë paradoksale, por ja që ishte. Përgjigja e shtatë lidhet me naftën e prodhuar nga kompania ALBPETROL sha. Sot kjo naftë shitet në ankand, ku vetëm emrin ka të tillë, sepse ky produkt shitet në zyrën e ministrit, ku edhe paraja e madhe lëviz. Kalimi direkt në ARMO eliminon dukurinë. Kemi një prodhim dhe përpunim nafte të integruar sipas objektivave. Ka plot vende që e kanë të tillë që nga Kroacia, Italia e më gjerë. Nuk po bëjmë gjynah, veçse nuk lëmë të rritet kostoja e qytetarëve dhe taksa paguesve shqiptarë. Sigurisht mund të renditen plot argumente të tjerë, por këta janë argumente që nuk lënë vend për koment. Duke iu referuar Rafinerisë në FIER, ajo me produktin e saj është monopol, dhe i si e tillë monopoli përbën një problem jo vetëm akut, por edhe një situatë mbi të cilën kontrolli duhet të jetë maksimal. Kjo uzinë i ka parametrat e humbjeve më të vogla, por nën produktet e bardha të saj janë pjesë e ndotjes mjedisore dhe prishjes së motorëve të makinave. Në kohën e pasurisë publike pjesa më e madhe e saj shkonte si Hollues teknologjik për Albpetrol dhe shumë pak si lëndë djegëse. Normalisht edhe tani një pjesë e saj shkon për Bankers, nëse ka ndonjë kontratë për injektimin në shtresë. Termi fitimprurës i kësaj uzine lidhet me pozitën monopol dhe kostot e larta të transportit nga importi që bëjnë. Kështu që çmimet e këtij nënprodukti kryesor të jenë të larta dhe të axhustojnë një total të humbjeve që shkaktojnë sektorë të tjerë jo eficent të kompanisë ARMO përfshi administratën e saj dhe faktin tjetër që cilësia e naftës bruto ul koston e prodhimit të saj. Praktikisht jemi në një situatë krejt kritike dhe paligjshmërie totale, e cila vjen sa nga paaftësia jonë menaxheriale publike po aq edhe nga ligjet që operojnë dhe paligjshmëria që operon pa iu dridhur qerpiku. E them menaxheriale publike. Sepse sot ky shtet që administron 15% të aksioneve nuk ka asnjë kontrol mbi rafineritë e naftës dhe pronave të saj. Ҫdokush në mënyrë të paligjshme hyn dhe përpunon apo kryen veprimtari të paligjshme, në një territor për të cilin nuk paguan asnjë taksë. A ka ky shtet kontroll të paktën mbi territorin e këtyre pronave? Jo, përderisa aty po kryhet veprimtari të paligjshme mbi pasurinë e tjetër kujt.

Telegrafi,  03.02.2018