Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prokuroria kërkon 15 vjet burg për kontrabandistin e naftës Virgin

Prokuroria e Tiranës kërkoi 15 vjet burg për biznesmenin Adrian Xhillari, 5 vjet për ish-nëndrejtoreshën e doganave Lula Njebza dhe 3 vjet për ish-drejtorin e Doganës së Tiranës, Mirarbër Teneqexhiun. Asnjë nga të akuzuarit nuk i ka pranuar akuzat.

Prokuroria e Tiranë kërkoi të enjten dënimin me 15 vjet burg për biznesmenin Adrian Xhillari, në të njëjtën ditë kur Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e tij në Gjermani pas dy vitesh arratie. Dënimi për Xhillarin kërkohet për tre akuza që lidhen me kontrabandën e naftës “virgine”. Prokuroria kërkoi gjithashtu dënimin me 5 vjet burg për ish-nëndrejtoreshën e doganave, Lula Njebza dhe 3 vjet për ish-kreun e doganës së Tiranës, Mirëarbër Teneqexhi.

Prokurorja e çështjes, Suela Salavaçi, e cila e mori dosjen nga kolegët e Fierit pasi këta të fundit shpallën moskopetencë, argumentoi para gjykatës se me dashje direkte Xhillari “ka realizuar të ardhura në mënyrë të paligjshme të cilat nuk i ka deklaruar, nuk ka paguar detyrimet tatimore me gjithë mundësinë financiare që kishte, si dhe ka riqarkulluar të ardhurat e krijuara në mënyrë të paligjshme nëpërmjet sistemit bankar”.

Ndërkohë, prokurorja Salavaçi kërkoi fajësi edhe për ish zv.drejtoreshën e Doganave, Lule Njebza me akuzën e shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim dhe ish-kreun e doganës së Tiranës për të njëjtën akuzë. Mbrojtja e tre të pandehurve do të lexojë pretendimet e saj javën që vjen. Të tre të akuzuarit nuk kanë pranuar fajin dhe pretendojnë se janë të pafajshëm.

Çështja ndaj tyre filloi pas një denoncimi nga  Crown Agents, një kompani britanike e kontrakuar nga qeveria shqiptare për të ndihmuar doganat kundër kontrabandës  në prokurorinë e Fierit në maj të vitit 2015. Në Dhjetor  të po atij viti, prokuroria urdhëroi arrestimin e Njebzës dhe 6 doganierëve. Në Maj 2016 Prokuroria e çoi çështjen për gjykim, duke akuzuar administratorin e kompanisë Tea Construction and Petrol, Adrian Xhillari për “fshehje të të ardhurave”, “mospagim i taksave” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Akuzë u ngrit edhe për ish kreun e Doganës së Tiranës Mirëarbër Teneqexhiu dhe ish zv/drejtoreshën e përgjithshme Lula Njebza, si dhe doganierët Alfred Bushi, Syrja Misiraj dhe Adrian Alikaj për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Çështja ndaj Bushit dhe Misirajt u gjykua në Fier dhe u mbyll në Gjykatën e Apelit të  Vlorës e cila dha  pafajësi për doganierin Alfred Bushi, ndërsa dënoi me 1 vit burg  doganierin tjetër Syrja Misiraj. Ndërkohë Adrian Alikaj, vijon të gjykohet në Fier.

Dosja në ngarkim të Adrian Xhillari, Lula Njebzës, Mirarbër Teneqexhiut dhe kompanisë Tea Oil & Petrol SHA u trasferua nga Fieri në Tiranë, pasi Prokuroria kërkoi shpalljen e moskompetencës tokësore të gjykimit të kësaj çështje penale nga Gjykata e Fierit. Sipas tyre “veprimet dhe mosveprimet për të cilat akuzohen të pandehurit Mirarbër Teneqexhiu dhe Lula Njebza kanë ndodhur në Tiranë”.

Kjo e shtyu gjykimin pasi Gjykata e Tiranës fillimisht nuk pranoi kopetencën mbi çështjen duke kërkuar që vendimi të merrej nga Gjykata e Lartë.

Prokurorja e çështjes, Suela Salavaçi tha për BIRN se çështja e moskopetencës ishte zgjidhur me një vendim të Gjykatës së Lartë së fundmi, duke ia lënë shqyrtimin e dosjes Gjykatës së Tiranës.

Në pretencën e saj, prokurorja Salavaçi thekson se: “…nga analiza e fakteve dhe e provave të administruara gjatë këtij gjykimi penal, rezulton e provuar se i pandehuri Adrian Xhillari me cilësinë e përfaqësuesit ligjor dhe administratori i shoqërisë Tea Construcion & Petrol, dhe kjo e fundit si përfituese e veprimeve të kryera nga organet e saj drejtuese, ka kryer transportin “fiktiv” të sasisë prej 4.406.855 litra ose 3.251.688 kg të artikullit “naftë virgine” që ajo kishte depozituar në magazinën fiskale në “Kodër Mëzez”, Tiranë për në magazinën doganore Ballsh”.

Po ashtu prokuroria pretendon se ka provuar se Xhillari, i cili është hetuar dhe gjykuar në mungesë pasi u arratis nga vendi dhe u arrestua vetëm së fundmi në Gjermani,  “ka riqarkulluar të ardhurat e krijuara në mënyrë të paligjshme nëpërmjet sistemit bankar”, duke kryer pastrim parash. Po ashtu prokuroria thotë se ka provuar edhe hedhjen në qarkullim në tregun e brendshëm të naftës “virgine”.

Sipas akuzës, Xhillarit i janë mundësuar këto veprime nga Njebza e Teneqexhiu. “Adrian Xhillarit i është mundësuar juridikisht dhe administrativisht transportimi dhe depozitimi fiktiv i këtij produkti, si rrjedhojë e veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme dhe të kryera me faj, fillimisht nga punonjësit e nivelit të lartë doganor shtetasit Lula Njebza dhe Mirarbër Teneqexhiu, duke kryer kështu figurën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” të kryer në bashkëpunim”, thuhet në pretencë.

Në pretencën e akuzës është përfshirë dhe kompania Tea Construcion & Petrol në pronësi të Xhillarit ndaj të cilës është kërkuar dënimi me 5 milionë lekë gjobë për akuzën e fshehjes së të ardhurave dhe mospagimit të taksave.

Reporter.al  02.02.2018