Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Porto Romano, qeveria propozon zgjatjen e kontratës

Më pak se 3 vjet pas miratimit të dhënies së koncesionit për portin e përpunimit të hidrokarbureve në Porto Romano, qeveria shqiptare ka propozuar një shtesë në kontratën e koncesionit BOT.

Në kushtet e kontratës origjinale, shoqëria koncesionare “Porti MBM” do të ndërtonte dhe operonte për një periudhë 35-vjeçare porti që funksionon me një sistem bovash 2.5 km larg bregut, përpara se ta transferonte tek shteti shqiptar.

Vlera e investimit për këtë projekt është rreth 10.2 milionë dollarë, ndërsa 5 vite para fundit të kontratës do të kryhet një tjetër investim në 40% të vlerës.

Zona e Porto Romanos u zgjodh për këtë vepër për shkak se ka të përqendruar 85% të kapacitetit të magazinimit dhe ruajtjes së karburanteve. Duke u integruar me infrastrukturën aktuale porti i ri do të rezultonte në rritjen dhe shfrytëzimin e kapaciteteve të magazinimit.

MBM është një sistem i përbërë nga një numër i ndryshëm bovash të ankoruara fort në fund të detit, nga një bovë në sipërfaqe tek e cila lidhet tubi i shkarkimit të mallrave të përziera të lëngshme dhe nga një apo më shumë tubacione.

Porti synon të bëjë të mundur shkarkimin e anijeve me kapacitet më të madh se 20 000 tonë. Kjo do të sjellë uljen e çmimit të karburanteve në Shqipëri për shkak të uljes së çmimit të transportit dhe çmimeve më të mira nga rafineritë.

Projekti synon gjithashtu ta kthejë vendin në një nyje furnizimi për rajonin. Gjatë periudhës së zbatimit të kontratës, shteti shqiptar do të përfitojë një tarifë koncesionare prej 2%  në vit.

Scan Tv,  01.02.2018