Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, sesioni i tretë në rënie

Çmimet e naftës po qendrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke publikuar humbje për të katërtën ditë me radhë. Të dhënat e industrisë treguan se, rezervat e naftës në SHBA u rritën më shumë se parashikimet e analistëve, gjatë javës së kaluar, ndërsa shitja masive në lëndët e tjera të para shtoi presionin mbi naftën. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 64.1 dollarë për fuçi, ndërsa në sesionin e kaluar ra me rreth 1.6%.

Ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.5 dollarë për fuçi. Analistët shprehen se, arsyeja kryesore që ka rrëzuar çmimet është rritja e rezervave, por edhe pritshmëritë për rritjen e prodhimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, të dy bençmarkët kryesore të naftës pritet ta mbyllin janarit në rritje, duke publikuar fitime për të pestin muaj me radhë. Në mbyllje të sesionit të sotëm, nafta pritet të realizojë janarin më të mirë që nga viti 2013, në rritje me rreth 2.7%.

Referuar të dhënave të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës bruto në SHBA u rritën me 3.2 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, së bashku me Rusinë dhe disa vende të tjera prodhuese, po zhvillojnë një betejë me kompanitë e energjisë në Shtetet e Bashkuara, duke ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në fund të këtij viti.

Scan Tv,  31.01.2018