Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kromi, prodhimi dhe eksportet në rritje këtë vit

Industria e kromit pritet që të ketë një vit pozitiv në 2018-n. Luan Saliaj, drejtor ekzekutiv i Albchrome, kompanisë më të madhe në këtë sektor, pohon për Monitor, se në aspektin e prodhimit dhe investimeve, pritshmëria për 2018 është tepër pozitive. “Në uzinën e Burrelit do ketë 50% rritje prodhimi, dhe në uzinën e Elbasanit 20 % rritje prodhimi. Në minierën e Bulqizës pritet 10% rritje prodhimi”, pohon ai.

Brenda 2018 do përfundojë investimi historik i shumë pritur, pusi 9-të i Bulqizës. Në 3 mujorin e parë të këtij viti, planifikohet të bëhet inagurimi i furrës së re në Burrel. “Do të kemi vazhdimin e zbatimit të dy projekteve të tjera të rëndësishëm  për Albchrome: zhvillimin e thellësisë se minierës së Qafës së Buallit dhe hapjen e  traverbankut të Klosit.

Edhe gjatë vitit 2017, thotë Saliaj, Albchrome ka pasur një ecuri mjaft të mirë në drejtim të prodhimit, investimeve dhe eksporteve. Kjo falë 10 milionë dollarëve të investuara në uzinën e ferrokromit Burrel, në ndërtimin e furrës se re bashkë me impiantet dhe sistemet ndihmëse, si dhe 2 milionë dollarë të investuara në uzinën e ferrochromit Elbasan, në rritjen e kapacitet të transformatorëve të furrës. Ai thekson se një vlerë e çmuar është dhënë për komunitetin e Burrelit duke sjellë gati dyfishim të fuqisë punëtore direkt apo indirekt të punësuar në uzineë

Tregjet kryesore më premtuese për chromitet mbeten tregu europian, aziatik dhe ai amerikan.

Saliaj pohon se trendi i kërkesë/ofertës dhe çmimeve pritet te ketë paqëndrueshmëri përgjatë gjithë vitit.

Pozitiv edhe metalet, BERALB i rikthehet aktivitetit

Industria minerare në vend duket se në vitin 2018 do të rindezë motorët. Pas një periudhe të gjatë me lëvizje të lehta, në kahun rritës të çmimeve, më në fund kërkesa po jep efektet e saj, duke dhënë nivele më të mira. Sokol Mati, njohës i mirë i sektorit, njëkohësisht konsulent pranë koncesionarit BERALB, bëri të ditur se viti aktual do të shënojë disi një pikë kthese në tërësi, e ndikuar nga zhvillimet globale. “Kromi duhet të ketë lëvizje dhe ka qenë në nivele të mira.

Pjesa e nikelit do të ketë një rritje  çmimi, për shkak të disa zhvillimeve. Për Shqipërinë ka problem sepse Kavadarci, në Maqedoni, ka pasur probleme dhe aty e shet këtë mineral Jugu ynë. Shpresojmë që situata të përmirësohet, sepse tendenca drejt makinave elektrike në Europë apo dhe më gjerë do të reflektojnë ndoshta një rritje të kërkesës dhe normalisht, kjo shtyn edhe çmimet dhe investimet. Në vendin tonë do të ketë zhvillime me aktorë të rinj në treg.  Në dijeninë time, është një projekt që ka rreth dy vite dhe që do fillojë në Bitinckë (Devoll).

Për bakrin janë rritur çmimet, çka e bën efektiv prodhimin, edhe si koncentrat. Këtë të fundit e tregon fakti që vetë BERALB, ka vendosur të nisë punën. Po kështu ka një investim që po bën kompania turke në Spaç dhe me aq sa kam informacion, është në përfundim fabrika dhe shpresojmë të nisë punën shumë shpejt. Mineralet e tjerë janë si zakonisht, nuk do kenë ndonjë lëvizje tjetër. Lidhur me ferrokromin janë investimet e rëndësishme në Elbasan të Albchrome, por edhe një tjetër fabrikë e re që po zhvillohet nga GSA”, – shprehet Mati.

Sipas tij, viti i kaluar mund të konsiderohet në linja të përgjithshme si një vit disi i mirë, por jo për të gjithë sektorin, ndërkohë që 2018-a pritet që të jetë më mirë, por kjo sërish mbetet për t’u parë.

Beralb, e cila e ndërpreu aktivitetin në shtator të vitit 2015, për shkak të koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare, pritet të nisë punë këtë vit me kapacitet të reduktuar 30-50%, duke vijuar më pas sipas situatës.

Revista monitor,  23.01.2018