Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Statusi i naftëtarit, me prioritet punonjësit e ARMO

Fjala e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri në interpelancën e parë me qeverinë në Platformën e Bashkëqeverisjes me njerëzit, të kërkuar nga një grup naftëtarësh të Ballshit.

Mirëdita të gjithëve,
Gëzohem që e kemi këtë mundësi të komunikojmë bashkë, megjithëse e kemi patur rastin që të komunikojmë vazhdimisht me shumë nga ju në zyrën time, dhe shumë nga këto probleme kemi patur rastin t’i trajtojmë aty në mënyre shumë transparente dhe me vullnetin e mirë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për një problem të vështirë. Jo të krijuar nga kjo qeveri, dhe ketë duhet ta pranojmë dhe ju e dini, një privatizim i shkuar dëm, i bërë keq, dhe shumë nga pyetjet që ju ngrini këtu kanë të bëjnë më mënyrën se kush është gjeneza e këtij privatizimi. Po e nis nga një problem që ju e ngritët në fund, nënstacionet, pompat dhe zjarrfikëset, të gjitha ishin pjesë e paketës së  privatizimit, që normalisht nuk duhet të ishte kështu sepse nënstacioni elektrik i shërben të gjithë qytetit, ashtu siç edhe pompat e ujit, i shërbejnë bashkisë atje. Fatkeqësisht edhe këto janë asete të cilat u privatizuan. Megjithatë, ky është një problem shumë kompleks i filluar keq, nga një privatizim që në momentin kur qeveria shqiptare e sotme mori pushtetin në 2013, kjo kompani kishte falimentuar. Përpjekjet tona kanë qenë brenda një hapësire ligjore, që të bëjmë të mundur, që kushdo që merrte përsipër të investonte në këtë rafineri të kishte mundësi edhe të furnizimit me naftë, por të kishte një mjedis normal të punës. Përsa i përket ciklit të naftës ne e kemi dhënë këtë program qeveritar dhe fakti që gjithmonë i kemi kushtuar vëmendje, ka qenë qëllim që nafta e papërpunuar në vend të ecë, praktikisht vetëm shifrat që do t’ju jap për vitin 2017, 450 mijë ton naftë, pra gati 50 % e naftës që prodhohet në Shqipëri është e përpunuar në vend. Pra, ka qenë edhe ky qëllim, objektiv dhe ky është realiteti. Edhe nafta që ka patur në dispozicion Albpetrol-i gjithmonë ka qenë me destinacion tregun e brendshëm për t’u përpunuar, dhe këtë besoj e dini.  Fatkeqësisht uzina nuk është menaxhuar si duhet, por menaxhimi është privat, duhet ta kuptoni  që edhe shteti në një ekonomi tregu ka limitet e tij. Është çështje tjetër që do të duhet të kishte një kompani shtetërore për përpunimin e naftës, por shteti e bëri një zgjedhje kur e privatizoi këtë kompani.

Për sa i përket disa problemeve që unë dua t’ju them që janë më imediate dhe si e kam  parë unë zgjidhjen tuaj, dhe në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë po ju drejtohem sot. Së pari kemi një të drejtë për punën e statusit, dhe jo më larg se përpara disa ditëve përfaqësues të sindikatës së bashku me shokët e tjerë, kanë qenë në ministrinë time dhe ne u kemi thënë: Përgatisni dokumentacionin, kemi ngarkuar përfaqësues të sindikatës, ne jemi të gatshëm të kryejmë edhe hapin e fundit të një vendimi, që unë sapo fola edhe me Ministrin e Financave për të trajtuar, ja po e them publikisht këtu, ju do të jeni grupi i parë që do të trajtoheni me precendencë dhe me shpejtësi. Të vijnë dosjet atje dhe automatikisht të gjitha atyre që i takon statusi dhe aty janë shumë njerëz që e meritojnë do të trajtohen me shpejtësi. Kjo zgjidh edhe një problem tjetër tuajin, dhe ju e dini shumë mirë këtë, që në momentin kur uzina nuk punon, pra ka falimentuar apo njerëzit dalin të papunë, përfitojnë nga statusi ato elementë që ua jep statusi. Pra janë ato tre pagat e para që i parashikon statusi, deri në 80 % në mos gaboj, dhe pjesa tjetër siç përcakton legjislacioni në fuqi për statusin. Kështu që në vazhdën e takimit që kemi bërë në Ministri, unë ju pres, pra njerëzit janë në gatishmëri, së bashku me Ministrin e Financave diskutuam edhe sot në mëngjes të përshpejtojmë pjesën e fundit. Dhe ja ku po e them publikisht edhe një herë dhe nuk po e zgjas më jeni të parët që ai komision do të trajtojë me shpejtësi, me precedencë. Kështu që çështja e statusit merr zgjidhje, është vetëm çështje vullneti komunikimi, të ngarkoni disa persona, ne jemi në dispozicion, unë jam i gatshëm t’ju vë gjithçka në dispozicion dhe kjo gjë ju takon, se ju takon me ligj.

Nga ana tjetër, përsa i përket çështjes së nënstacionit, po ju them një gjë, që në këto kushte të vështira, do të filloj ndërtimin e një nënstacioni aty dhe operatori i sistemit të transmetimit do të fillojë me bërjen e një nënstacioni të ri përforcues sepse edhe gjendja që është nënstacioni është  kthyer në një rrezik.

Së dyti, për problemet që keni patur, pagesat për sigurinë zjarrfikëset, unë vetë kam bërë edhe ndërhyrjet e mia edhe tek pagat në mënyrë që këta persona të paguhen sepse është problem i sigurisë së objektit dhe besoj dhe këtë e dini që nga komunikimi që kemi pas, e kemi realizuar që stafi minimal të paguhet pasi aseti duhet të jetë i mbrojtur, sepse aty nuk është vetëm çështja e asetit, por është jeta e njerëzve dhe rrezikohet i gjithë vendi aty nëse nuk tregohet kujdes. Thash që disa probleme kanë qenë të bëra mbrapsht me privatizimin, pjesët e rrjetit elektrik po e shikojmë, kam autorizuar Operatorin e Shpërndarjes, meqenëse këto kompani zotërojnë borxhe, po shikojmë mundësinë që këto nënstacione t’i marrë shteti, pra t’i marrë Operatori i Shpërndarjes sepse janë asete të energjisë elektrike që i shërbejnë edhe uzinës, i shërbejnë edhe bashkisë, dhe besoj për këtë jemi dakord.

Përsa i përket pompave duhet edhe pushteti vendor në Mallakastër dhe për këtë ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka është e mundur t’i marrë në administrim ato. Pra këto janë pjese aksesore që ju i ngritët si probleme që kërkojnë zgjidhje.

Përsa i përket, aksioneve të shtetit mund t’ju flas edhe z.  Ahmetaj, por po ju them që kompania ARMO ka falimentuar, pra kompania ARMO nuk ekziston më si kompani, është një kompani e zhytur në borxhe. Cfarë ka bërë shteti?  Me ato mundësi që ka pas, po jam i bindur që do dëgjoni edhe z. Ahmetaj, ne kemi filluar të gjitha proceset tona ligjore, për t’i shkuar mbrapa me çfarëdo lloj aseti që është i mundshëm për t’u rikuperuar. Ju e dini që pak kohë më parë ka ndodh edhe sekuestro në një pjesë të aseteve, edhe unë kam autorizuar sektorin që për gjithë borxhet që ka pas të shkohet në procedura gjyqësore dhe të vihet sekuestro aq sa ka mundësi brenda procedurave ligjore për të rikuperuar çfarë mund të rikuperojmë, por janë disa gjëra që gjithmonë duhet të na mirëkuptoni bëhen në kohën e duhur.  Dhe praktikisht kur erdhëm ne në pushtet, ARMO iku bashkë me Rezart Taçin, ju e dini shumë mirë, nuk ekzistonte më. Jemi munduar brenda një kuadri që i kemi patur duart e lidhura nga ana ligjore, që të kemi mundësi të kemi investitorë që të investojnë aty dhe ne të bëjmë çmos  që ajo uzinë të punojë. Brenda hapësirave që ka shteti, se ajo nuk është ndërmarrje shtetërore, duhet të na mirëkuptoni. Dhe ne kemi bërë çmos që sa herë kemi pas mundësinë të sigurojmë furnizimin me naftë, të krijojmë mundësinë që ajo uzinë të punojë mirë. Po ne nuk do të heqim dorë nga kjo dhe mos e mendoni se pavarësisht se diçka mund të mos ecë mirë, njeriu mund të humbasë një betejë por nuk humbet luftën, dhe një herë  në jetë  mund ta fillosh me një dështim por mund të kesh suksese më të mëdha në jetë. Ne do përpiqemi që në çdo rast të kemi investitorë që kësaj radhe ai që investon atje të marrë përsipër siç duhet marrë, brenda një kuadri ligjor. Dhe njëkohësisht personat që kanë kërkuar statusin një pjesë e tyre do të trajtohen, ata që janë afër pensionit do të gëzojnë statusin, pjesa tjetër do të ketë mundësinë të punësohet në mënyrë të qëndrueshme. Por problem është tjetër, nuk është çështja hajde ta marrë shteti, nuk është njësoj si energjia elektrike, duhet t’jua them. Nafta është e rëndësishme, dhe përpunimi i naftës është i rëndësishëm por është një nga industritë, Shqipëria ka shumë nevojë të përpunimit, edhe të naftës, edhe të mineraleve, dhe ne duhet të  nxisim çdo lloj investimi, dhe e kemi nxitur qoftë në gaz, qoftë në minerale, por energjia elektrike është e pazëvendësueshme, një rrjet ka vendi, mund të ketë  disa rafineri nafte, por rrjeti energjetik është një, prandaj u mor ai vendim që pa energji është si të lësh veten tënde pa ushqim.

Ne na keni  të gatshëm, po punojmë përditë, ju lutem shumë hajdeni që këtë javë të vazhdojmë me dosjet e para, janë shumë pak dokumente, 3-4 dokumenta nëse keni edhe dokumenta që keni nevojë për ne, jemi të gatshëm, t’ju vëmë në dispozicion njerëz për t’i bërë ato, në mënyrë që njerëzit ta shikojnë që ne e kemi seriozisht me punën e statusit.

energjia.al  23.01.2018