Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

FMN dhe BB shqetësohen për ecurinë e reformës në energjitikë

Duke e konsideruar ecurinë e reformës në sektorin e energjisë elektrike “të pamjaftueshme”, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësimet në raportin e saj të fundit [link] mbi atë që e quajti “ngecje” të reformës ndërsa shprehu shqetësimin për mungesën e transparencës së qeverisë dhe një pjese të kompanive publike të sektorit mbi gjendjen e tyre financiare. Njëkohësisht me FMN-në, Banka Botërore, e cila ka prej tre vjetësh një projekt ndihme për rimëkëmbjen e sektorit, ndryshoi vlerësimin e saj në treguesin “progresi drejt arritjes së objektivave” nga “i kënaqshëm” në “relativisht i kënaqshëm si dhe treguesin e “progresit të përgjithshëm në zbatim” nga “relativisht i kënaqshëm” në “relativisht i pakënaqshëm”.

Paralelisht me shqetësimet e FMN dhe BB, të dhënat statistikore të sektorit, të cilat BIRN i mori nga Enti Rregullator i Energjisë përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregojnë se reduktimi i humbjeve është tashmë prej dy vitesh shumë më i ngadaltë nga sa synohej nga qeveria në Planin e Rimëkëmbjes Financiare të Sektorit të Energjisë, një vendim i Këshillit të Ministrave i shkurtit 2015 që përbën bazën e reformës së sektorit. Të dhënat e raportuara në ERE nga OSHEE tregojnë humbjet e periudhës janar-gusht 2017 në masën 27.5%, ndërkohë që reforma e qeverisë pati premtuar reduktim të humbjeve në masën 21% për vitin 2017 dhe 19% për vitin 2018.

Ndërkohë, mungesa e reshjeve gjatë vitit 2017 shkaktoi humbje në masën 4.2 miliardë lekë vetëm për periudhën janar-shtator 2017, për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare – kompaninë përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, e cila është detyruar vitin e kaluar të mbulojë me importe një pjesë të konsiderueshme të furnizimit. [Link]. Këto humbje janë të konsiderueshme pasi KESH arriti të realizonte fitime neto prej vetëm 797 milionë lekësh në vitin 2015 dhe 1.1 miliardë lekësh në vitin 2016, ndërsa humbjet në periudhën janar-shtator 2017 rezultojnë mbi dy herë më të larta se sa fitimet e viteve 2015 e 2016 të marra sëbashku.

Gjendja financiare e OSHEE është e panjohur. Kompania është kritikuar nga FMN mes të tjerash për mosrespektimin e kërkesave për transparencë, pasi nuk ka publikuar raportet e veta financiare tremujore që nga shtatori i vitit 2016 [Link]. Gjithashtu, OSHEE nuk rezulton të ketë dorëzuar bilancin vjetor të vitit 2016 dhe raportin e auditimit te Qendra Kombëtare e Biznesit, gjë që përbën detyrim ligjor për çdo kompani të regjistruar në Shqipëri. Ministria e Financave, e cila nën kërkesën e FMN-së publikoi në prill 2016 rezultatet financiare të tre kompanive të sektorit për tremujorin e parë të atij viti, nuk e ka përditësuar këtë raportim që nga ajo kohë. FMN e konsideron transparencën e treguesve financiarë me rëndësi kyçe për atë që njihet si “qeverisje e korporatave” të sektorit publik pas mungesa e transparencës i lejon këto lloj kompanish të bien në keqmenaxhim, ose që përkeqësimi i gjendjes financiare të kompanive të kalojë jashtë vëmendjes së publikut.

Ministria e Financave nuk iu përgjigj pyetjeve me email të BIRN për arsyet se pse ka ndërprerë publikimin e raporteve financiare tremujore të korporatave publike, siç kërkohet nga FMN dhe as pyetjes nëse ka ndër mend të zbatojë kërkesën e FMN për rifillimin e publikimit të këtyre raporteve.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk iu përgjigj pyetjeve me email pasi kërkoi fillimisht disa ditë kohë për t’u menduar. OSHEE nuk iu përgjigj pyetjeve se pse reduktimi i humbjeve për vitet 2016 dhe 2017 ka ngecur dhe as se pse kjo korporatë nuk ka dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit bilancin dhe raportin e auditimit të vitit 2016.

Reforma me vuajtje

Në tetor 2014, qeveria shqiptare nisi atë që e quajti “Reforma për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë”, me një valë arrestimesh në disa anë të vendit të qytetarëve të ndryshëm të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike. Qeveria shpalli në shkurt 2015 Planin e Rimëkëmbjes, i cili premtonte reduktimin e humbjeve në sektorin e energjisë elektrike me 5% në vit duke filluar nga 37.6% në vitin 2014 në vetëm 8 për qind në vitin 2020.

Të dhënat e marra nga BIRN nga sistemi i drejtësisë tregojnë se në periudhën shtator 2014 – qershor 2015, mbi 2600 shqiptarë u akuzuan për hajdutë dritash. Frika e gjithëpërhapur duket se u shpërblye me rritje të pagesave të faturave të prapambetura, ndërsa në vitin 2015, Enti Rregullator i Energjisë miratoi ndryshime në strukturën e çmimit të shitjes, duke hequr sistemin e mëparshëm të faturimit në masën 7.7 lekë të konsumit deri në 300 KWh dhe me 13.5 lekë për konsumin mbi 300  KWh, në një tarifë të unifikuar prej 9.5 lekësh për KWh për konsumatorët familjarë. Për konsumatorët e tjerë, çmimi i dritave u rrit në varësi të kategorisë së konsumit. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, kompania nën pronësi publike kyçe e sistemit, njohu përmirësim të bilancit të vet në vitin 2015. Të ardhurat e deklaruara nga vetë kompania por të pacertifikuara nga auditorët e pavarur, u rritën në 58.6 miliardë lekë nga 47.3 miliardë që ishin në vitin 2014. Rezultati financiar ishte me mbi 2 miliardë lekë humbje më 2014 dhe kaloi në 18.3 miliardë lekë fitime në 2015 [link]. Treguesi kyç, humbjet në shpërndarje, u përmirësua nga 37 në 31 për qind.

Por të dhënat e marra nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes efektivisht ka ngecur që nga ajo kohë. Në vitin 2016 humbjet ishin 28% ndërsa në periudhën janar-gusht 2017, humbjet ishin 27.5%. Për vitin 2016, objektivi i qeverisë ishte reduktimi i humbjeve në 26% ndërsa për vitin 2017 humbjet duhej të reduktoheshin në 21%. Ecuria e keqe e dy viteve të fundit e ka bërë të vështirë arritjen e objektivave për vitet 2018-2020. Për vitin 2018, objektivi është për reduktim të humbjeve në 19% më 2019 15% dhe më 2020 8%.

Dhuna mbi konsumatorët familjarë duket se u kompensua me pagesa më të rregullta nga konsumatorët për OSHEE, por e njëjta gjë nuk ndodhi me vetë ndërmarrjet shtetërore dhe kategorinë e konsumatorëve biznes. Të dhënat e ERE tregojnë se sasia e borxheve të paarkëtuara të OSHEE u rrit nga 69 miliardë lekë në 2015 në 71.6 miliardë lekë në gusht 2017. Brenda strukturës së konsumatorëve debitorë, konsumatorët familjarë kanë qenë më të rregulltit dhe borxhet e tyre u reduktuan gradualisht nga 52.6 miliardë lekë më 2015 në 50.3 miliardë më 2017. Nuk ndodhi e njëjta gjë me kategorinë e konsumatorëve “jobuxhetorë”, ku përfshihen korporatat e tjera publike, në përgjithësi, ujësjellësit. Borxhet e tyre ndaj OSHEE u rritën nga 1.6 miliardë lekë në 7.4 miliardë.

Paralelisht me mosreduktimin e humbjeve, shuma e borxheve të paarkëtuara nga OSHEE është në rritje, veçanërisht në segmentin e “kompanive publike” dhe atë të biznesit, ndërkohë që faturat e papaguara të konsumatorëve familjarë kanë ardhur në rënie.

“Drejtorët vërejnë se pas arritjeve mbresëlënëse fillestare, reformat në sektorin nën pronësi shtetërore të energjisë elektrike janë vonuar dhe duhet të rifillojnë,” shkruhet në raportin e FMN-së.

“Reduktimi i humbjeve në [rrjetin] e shpërndarjes është pas plani ndërsa liberalizimi i mëtejshëm i tregut dhe ristrukturimi është vonuar. Stafi rekomandon përshpejtimin e reformave për përparimin e ristrukturimin financiar dhe përmirësimin e eficencës operacionale, përfshirë fuqizimin e qeverisjes korporative. Stafi theksoi nevojën që kompanitë e sektorit publik të rifillojnë publikimin e rregullt të raporteve financiare”.

Paralelisht me FMN-në, edhe Banka Botërore, e cila prej tre vjetësh ka një program kredive në ndihmë të sektorit, shprehu shqetësimin për mungesë rezultatesh në drejtim të treguesit kyç të reduktimit të humbjeve. Pasi shpreh lavde të mëdha për arritjet fillestare të reformës, BB në vlerësimin e fundit të projektit të vet [link], vëren se programi i reduktimi të humbjeve nuk është realizuar ndërsa humbjet e shkaktuara nga thatësia e vitit të kaluar kanë rënduar në mënyrë të palogjikshme mbi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare.

“Sektori i energjisë në Shqipëri është edhe një herë nën stres financiar, krijuar nga kombinimi i disa faktorëve,” vëren Banka Botërore. [Link]

“Rënia e sasisë së reshjeve ka shkaktuar rritje të importeve gjatë vitit 2017 me rreth 120 milionë euro në krahasim me vitin 2016. Programi i shpenzimeve kapitale (investimeve) në kompaninë e shpërndarjes OSHEE nuk ka dhënë ende reduktim të humbjeve, duke shkaktuar rrëshqitje në programin vjetor të reduktimit të humbjeve,” thuhet në raport. Kjo ka shkaktuar, sipas BB, edhe vendosjen e një detyrimi të papërshtatshëm nga sektori publik mbi prodhuesin e energjisë KESH. Këto faktorë e kanë shtyrë Bankën Botërore të ndryshojë vlerësimin mbi ecurinë e projektit nga përgjithësisht pozitiv në përgjithësisht negativ.

Vlerësimi i treguesit “Progresi drejt arritjes së objektivit zhvillimor të projektit” ishte në vlerësimin e mëparshëm të projektit “i kënaqshëm” ndërsa në vlerësimin aktual të lëshuar më 31 dhjetor ra në “relativisht i kënaqshëm”. Treguesi tjetër, i quajtur “Progresi i Përgjithshëm i Zbatimit” u përkeqësua nga “relativisht i kënaqshëm” në “Relativisht i pakënaqshëm”. Banka Botërore përdor këtë lloj vlerësimi për të parë se me çfarë efikasiteti janë përdorur kreditë e saja të dhëna për projekte të caktuara.

“Ka gjasa që në rast se nuk ka përpjekje të rigjallëruara për të përshpejtuar programin për reduktimin e humbjeve, një objektiv kyç zhvillimor i projektit, reduktimi i humbjeve dhe qëndrueshmëria financiare nuk do të arrihet deri në datën e planifikuar të mbylljes [së projektit]”, shkruan BB.

Banka Botërore vlerëson ecurinë e projekteve me gjashtë shkallë ku “nota” më e mirë është “shumë e kënaqshme” dhe më e keqja është “shumë e pakënaqshme”. “Relativisht e pakënaqshme”, vlerësimi aktual për projektin e Rimëkëmbjes Energjetike i përket notës 3 dhe jepet në rastet kur “ka mungesa domethënëse në operacionin për të arritur objektivat, eficencën apo rëndësinë”. [Link, metodologjia e BB]

Gjithsesi, kjo nuk është hera e parë që projektet e BB në sektorin e energjisë në shqipëri ecin keq. Banka Botërore ka dhënë disa projekte në këtë sektor të cilat janë vlerësuar negativisht nga vetë BB.

Çështje shirash

Prodhimi i bollshëm i energjisë elektrike në vitet 2015-2016 kontribuoi shumë për të përmirësuar gjendjen ekonomike të sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i energjisë elektrike u rrit nga 4.7 miliardë KWh në vitin 2014 në 5.9 miliardë më 2015 dhe 7.1 miliardë më 2016, prodhimi i dytë më i lartë në histori. Një marrëveshje e drejtpërdrejtë mes KESH dhe OSHEE në mars 2015 mundësoi kursime prej miliarda lekësh në financat e OSHEE dhe përfitime të konsiderueshme për financat e KESH. Deri në atë pikë, dy kompanitë nën pronësi publike nuk kishin kontratë të drejtpërdrejtë, por KESH ia shiste me shumicë tregtarëve energjinë e vet në përgjithësi me çmime të ulëta ndërsa tregtarët ia shisnin OSHEE-së me çmime në përgjithësi të larta. Përfitimet nga shirat e bollshëm nuk mund të zgjasin në pafundësi. Në vitin 2017, mungesa e reshjeve detyroi të dy kompanitë e sistemit, OSHEE dhe KESH, të importojnë rreth 120 milionë euro energji elektrike. Kjo mjaftoi që KESH të bjerë në afro 30 milionë euro humbje vetëm për periudhën janar-shtator 2017. Pasojat te bilanci OSHEE janë të panjohura.

Reporter.al  22.01.2018