Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, Albpetrol rrit prodhimin

Për vitin 2018, Albpetrol parashikon të rrisë prodhimin duke arritur shifrën e 110.000 tonë naftë të prodhuar nga vetë kompania. Në të ardhurat e Albpetrol do të shtohen edhe të ardhurat që do të realizohen nga shitja e rreth 40.000 tonë naftë bruto, që do të përfitohen nga kompanitë partnere në Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol

Kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës parashikon që viti 2018 të jetë më i mirë se ai që sapo kaloi. Në një prononcim për “Monitor”, kompania bën të ditur se do të rrisë prodhimin, duke e çuar atë në 110 mijë tonë, ndërkohë që edhe viti që sapo lamë pas regjistroi një nivel më të mirë për shkak të burimeve që ju hoqën koncesionarit. “2017, në tërësi duhet konsideruar si një vit pozitiv për industrinë e naftës në tërësi dhe për shoqërinë Albpetrol sh.a. Gjatë këtij viti, ne arritëm të kishim një rritje të prodhimit të vetë kompanisë në rreth 96.200 tonë naftë nga 50.903 tonë që ka qenë prodhimi në vitin 2016. Rritja e prodhimit ka ardhur si pasojë e shtimit të prodhimit të naftës në vendburimet ekzistuese, por njëkohësisht edhe për shkak të rimarrjes në vitin 2017 të vendburimeve Gorisht-Kocul; Cakran-Mollaj dhe Amonicë. Edhe çmimi i shitjes së naftës gjatë vitit 2017 u rrit në krahasim me një vit më parë”, – nënvizon Albpetrol. Por, duket se edhe në vite më pak optimistë se ai që lamë pas, apo se ky që kemi para, kompania ka siguruar të ardhura të konsiderueshme. Sipas bilancit të vitit 2016, shoqëria Albpetrol sh.a., ka arritur fitim në shifrën mbi 1.5 miliardë lekë, duke u renditur ndër kompanitë me fitimin më të madh në Shqipëri.
“Për vitin 2018, Albpetrol parashikon të rrisë prodhimin duke arritur shifrën e 110.000 tonë naftë të prodhuar nga vetë kompania. Në të ardhurat e Albpetrol do të shtohen edhe të ardhurat që do të realizohen nga shitja e rreth 40.000 tonë naftë bruto, që do të përfitohen nga kompanitë partnere në Marrëveshje Hidrokarbure me Albpetrol. Marrëveshja me Bankers Petroleum është ajo e cila siguron më shumë naftë për Albpetrol, pasi nga 40.000 tonë, 33.000 tonë sigurohen vetëm nga Marrëveshja me Bankers Petroleum. Nga shitja e sasisë totale prej 150.000 tonë naftë, si dhe nga shërbimet e tjera që Albpetrol ofron në treg (shërbime të ndryshme për industrinë e naftës apo energji elektrike për furnizimin e vendburimeve të naftës) Albpetrol parashikon që të ardhurat e vitit 2018 të jenë rreth 60 milionë USD, ose 10 milionë USD më shumë se viti 2017.
Rritja e prodhimit të vetë kompanisë është jetike për vazhdimësinë e Albpetrol, pasi sasia që Albpetrol merr çdo vit nga kompanitë partnere në Marrëveshje Hidrokarbure reduktohet çdo vit me 10-15%, në varësi të marrëveshjes. Për këtë arsye, që Albpetrol të bëjë fitim dhe të ketë një rezultat të shëndoshë financiar, duhet të kompensojë uljen e naftës që merr nga koncesionarët, nëpërmjet rritjes së prodhimit të vet”, – nënvizon Albpetrol.
Viti aktual pritet të jetë më i mirë edhe sa u përket investimeve që parashikohen të jenë në nivelin e 10 milionë dollarëve, ku peshën kryesore do ta zërë shpimi i një pusi të ri nafte në vendburimin Cakran-Mollaj, i cili parashikohet të kushtojë rreth 4.5 milionë USD.
Viti i saponisur pritet të ketë ndryshime domethënëse për kompaninë, e cila ashtu sikurse është deklaruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, do të kalojë në një proces ristrukturimi. Për këtë ristrukturim është ngritur një grup pune ndërministror, i cili po analizon skenarë të ndryshëm. Shumë nga parashikimet për vitin 2018 varen ngushtësisht nga procesi i ristrukturimit.

Revista Monitor,  19.01.2018