Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Veliaj: Janë bërë porositë për autobusët elektrikë

Shumë shpejt në rrugët e kryeqytetit do të qarkullojnë autobusët elektrik të cilët jo vetëm do të përmirësojnë shërbimin ndaj qytetarëve, por në të njëjtën kohë do të ndikojnë edhe në cilësinë e ajrit në kryeqytet.

I pranishëm në konferencën “Bashkëpunimi Territorial, perspektivë e re për nxitjen e integrimit”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se është bërë porosia e parë e autobusëve elektrik të cilët pritet që të ndryshojnë rrënjësisht transportin publik duke e renditur Tiranës mes qyteteve më të zhvilluara të Europës. “Ne jemi futur në një  marsh të pestë përsa i përket transportit publik me autobusë elektrikë në Tiranë. Transformimi që Polonia bëri, ndihma shumë modeste, për të prodhuar një exchange midis operatorëve tanë dhe punonjësve tanë të transportit publik, me ata polakë, ndoshta ka sjellë një dobi që besoj, prej këtij viti do fillojmë t’i shikojmë hajrin në Tiranë teksa janë bërë porositë e para të autobusëve elektrikë, por besoj në afatgjatë, do kuptojmë sesi frymëzimi dhe shumë pak financim nga një shtet anëtar mund të sjellë rezultate të jashtëzakonshme”, theksoi Veliaj.

Duke u ndalur tek revolucioni I transportit në kryeqytet, Veliaj deklaroi se Tirana po ecën me ritme të shpejta për ndërtimin e 10 km korsi për biçikleta, ndërsa theksoi se për një muaj rrugët do të mbushen me 4 mijë biçikleta. “Tirana është sot e gjitha një kantier I madh me rrjetet e biçikletave. Nëse keni ecur nëpër Tiranë, e shihni që po krijohet një rrjet, është fryt i një projekti ndër më të vegjlit që ka financuar ambasada hollandeze për mobilitetin në Tiranë. Ne jo vetëm po mbarojmë korsitë, për një muaj do të kemi rreth 4000 biçikleta të tjera në Tiranë që besoj se do të sjellin një revolucion në mënyrën se si funksionon një qytet”, tha Veliaj.

Pavarësisht se janë inkurajuese shumat e parave që shpenzohen nga fondet IPA apo nga fondet e bashkëpunimit ndërkufitar, Veliaj deklaroi se një vëmendje të veçantë meriton jo vetëm sasia, por edhe mënyra se si fondet shpenzohen. Kryetari i Bashkisë  së Tiranës theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes vetë qyteteve, që mund të prodhojnë rezultate shumë herë më efikase se sa bashkëpunime me organizma të tjerë. Si shembull të këtij suksesi, Veliaj solli bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës, ku falë ngritjes së kompanisë publike Tirana është shumë herë më e pastër se sa ka qenë 3 vite më parë. “Shembulli është zhdërvjelltësia qytet  më qytet. Një nga gjërat që më thanë disa prej jush që kishin kohë që nuk kishin ardhur në Tiranë, dhe u takuam , ishte se sa e pastër është Tirana. Unë jam ndoshta kritiku më i madh se sa ende mund të jetë qyteti ynë. Por një nga gjërat që njerëzit harrojnë dhe kanë nja 2-3 vjet që është kështu pastër është që në fakt është bashkëpunimi mes dy qyteteve, mes Tiranës dhe Veronës në Itali. Dy qytete që në fakt nuk aplikuan fare për fonde të BE. Krijuan vetë një kompani publike dhe ne kemi sot për çmimin më të ulët të pagesës nga familjarët, cilësinë më të lartë të pastrimit, zhdërvjelltësia me të cilat qytetet bashkëpunojnë. Nga fillimi i bisedimeve deri në vizibilitetin në rrugë të këtij bashkëpunimi zgjati vetëm 3 muaj. Pa asnjë qindarkë nga BE”, tha Veliaj.

Një tjetër rast të suksesshëm Veliaj solli dhe atë financimit të banesave për komunitetin rom, ku pavarësisht financimeve ndër vite për seminare, asgjë nuk kishte ndryshuar. Kreu i Bashkisë tha se përmes bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe Italisë është bërë i mundur sistemimi dhe zgjidhja e problemit të strehimit për 450 familje. “Vetëm prej fondeve “IADSA”, ne kemi arritur të sistemojmë problematikën më të madhe të komunitetit rom dhe egjiptian në Bashkinë e Tiranës, që është edhe bashkia më e madhe me 1/3 e popullsisë. Sapo kemi hapur banesat e reja në Lanabregas, javës tjetër e hapim banesat e reja në Shkozë. Nëse I krahason sa para janë harxhuar në total nga BE në 27 vjet për romët, është ndoshta 1/1000, por unë besoj ka qenë më efiçentja, sepse në vend që t’u jepte mend bashkive, të shkruante raporte pafund, konsultime pafund, seminare pafund, konferenca pafund, në një vend si Ballkani, ku të gjithë jemi të mbiseminarizuar, dhe të mbikonferencuar, zgjodhën që të bashkoheshin me një partner lokal, siç është Bashkia e Tiranës, për të sistemuar në një vend 300 familje dhe në një vend tjetër 150 familje të tjera”, nënvizoi Veliaj, ndërsa ftoi të pranishmit që t’i bashkohen nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë për një qytet më të pastër.

Ora News,  17.01.2018