Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kurum përfundon në gjykatë

Prokuroria Elbasan dërgon në Gjykatë administratorin e “KURUM”, Koray Zeytinoglu, drejtorin e blerjeve në këtë kompani, Yücel AKSU si dhe vetë kompaninë turke.

Nga hetimet e kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka rezultuar e provuar se, përgjatë dy viteve 2011-2012, të pandehurit Koray ZEYTINOGLU dhe Yücel AKSU, duke vepruar përkatësisht në detyrën e Administratorit dhe Drejtorit të blerjeve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, kanë organizuar dhe zbatuar një skemë mashtruese lidhur me blerjen e lëndës skrap.

Konkretisht, nga hetimet ka rezultuar se faturat tatimore te blerjes së lëndës skrap nga shoqëria “KURUM INTERNATIONAL” SH.A prej 4 (katër) shoqërive të tjera “Kurbini” sh.p.k me qendrë në Laç, “ERAD&XHT“ sh.p.k me qendër në Tiranë, “R&B 2011“, sh.p.k me qendër në Fushë-Krujë, dhe “Kavaja-CO“ shpk me qendër në Kavajë, janë të falsifikuara pasi këto shoqëri nuk kanë ushtruar asnjëherë aktivitet skrapi.

Dy të pandehurit Yücel AKSU dhe Koray ZEYTINOGLU, në cilësinë e përfaqësuesve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, përkatësisht, kanë nënshkruar dhe më pas depozituar, të dhënat mbi këto fatura tatimore të falsifikuara, pranë Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë, dhe mbi bazën e këtyre dokumenteve të falsifikuara shoqëria  “KURUM INTERNATIONAL” SH.A ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga skema e rimbursimit me TVSH-në.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se ky aktivitet kriminal i përfaqësuesve të shoqërisë “KURUM INTERNATIONAL” SH.A është kryer edhe me shoqëri të tjera me qendër në Tiranë dhe në Durrës. Prokuroria akuzon se rasti është një prej procedimeve, për të cilat u zëvendësua prokurorja Armanda Xhaferi, nga ish-titullari i Prokuorisë Elbasan, Dritan Gina.

Prokurorja Xhaferi pak kohë më parë deklaroi se Dritan Gina, i ka hequr në mënyrë të padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin për funksionimin dhe organizimin e Prokurorisë së Përgjithshme tre procedime penale.

Sipas saj dosjet janë marrë pa dëshirën e prokurores. Sipas kallëzimit të Xhaferit, ka kërkuar që këto dosje ti rikthehen sërish asaj, por nuk i janë vënë në dispozicion. Prokuroria konfirmoi sot se njëra nga dosjet që i është hequr është rasti i KURUM-it.

Dritan Gina u shkarkua nga drejtuesja kryeprokurorja e re Arta Marku nga posti i drejtuesit të Prokurorisë së Elbasanit. Gina e kundërshtoi vendimin duke e kallëzuar Markun te Krimet e Rënda. Por jo vetëm Ginën, por edhe gruan e tij Rovena Gashi që e liroi nga detyra e njësisë së Dekriminalizimit.

Dosja e Prokurorisë për “KURUM”:
1. Koray ZEYTINOGLU, i datëlindjes 17.06.1977, me shtetësi turke dhe shqiptare, i cili ka patur detyrën e Administratorit të shoqërisë tregtare “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, në kohën e aktivitetit kriminal 2011 – 2012;
I akuzuar për kryerjen e veprave penale të:

1) “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143, pikat 2 dhe 3 të K.Penal, si dhe

2) “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryer gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 287, pika1, gërma (a), dhe pika 2, të K.Penal.

1. Yücel AKSU, i datëlindjes 09.01.1982, me shtetësi turke dhe shqiptare, i cili ka patur detyrën e Drejtorit të Blerjeve të shoqërisë tregtare “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, në kohën e aktivitetit kriminal 2011 – 2012;
I akuzuar për kryerjen e veprës penale të:
1) “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143, pikat 2 dhe 3 të K.Penal,
si dhe ndaj

2. Shoqërisë tregtare “KURUM INTERNATIONAL” SH.A, me NIPT K02727230T, aktualisht me me zyrë qëndore: Tiranë, Njesia Administrative Nr.5, rruga “Ibrahim Rugova”, pallati nr.14 KT, “Green Park”, apartamenti nr.39, kati 6.

E akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
1) “Mashtrimit” të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 143, pikat 2 dhe 3 të K.Penal, si dhe
2) “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryer gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim, më shumë se një herë, dhe me pasoja të rënda, të parashikuar nga neni 287″, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Shqiptarja.com 18.01.2018