Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BB: Duhet rishikuar projekti i rimëkëmbjes energjitike

Banka Botërore vlerëson se projekti i Rimëkëmbjes në sektorin energjetik ka sjellë progres të dukshëm vit pas viti që nga fillimi i zbatimit por viti 2017 duket se e ka vështirësuar arritjen e objektivave finalë. Në një raport të fundit të rishikimit të projektit ekspertët e Bankës vërejnë se situata e lartë e importeve e vitit të kaluar ka vështirësuar situatën për kompanitë publike. Importet u rritën me 120 milionë euro më shumë se në 2016 çka vuri nën presion financat e sektorit.

“Sektori energjetik shqiptar është sërish nën një presion financiar që krijohet nga kombinimi i: një rënie të sasisë së reshjeve që ka çuar drejt importeve në 2017 me një rritje prej 120 milionë euro në raport me 2016, programi i shpenzimeve kapitale të kompanisë së shpërndarjes OSHEE nuk ka dhënë rezultatin tek humbjet, duke devijuar, në 28 për qind nga 26 dhe 22 për qind në vitin 2016 dhe 2017, imponimin e një detyrimi financiar të papërballueshëm nga shteti mbi KESH.

Ndaj ka gjasa që pavarësisht se ka një angazhim të rigjallëruar për të arritur programin e uljes së humbjeve, një nga pikat kyçe të objektivave të projektit ulja e tyre apo rigjallërimi financiar nuk do arrihet sipas datës së dakordësuar të mbylljes. Kjo kërko veprime konkrete nga qeveria dhe agjencitë e tjera zbatuese për të rifreskuar Planin e Rimëkëmbjes Financiare dhe të adresojnë ngërçet zbatuese, dhe banka do të japë nga afër mbështetjen e nevojshme për zbatimin” pohon banka.

Nga ana tjetër ajo vlerëson se arritjet e bëra janë të shumta në krahasim me situatën fillestare duke nisur nga reduktimi i humbjeve tek plotësimi i kuadrit ligjor sipas direktivave përkatëse.

“Ka një progres të dukshëm qëkur nisi projekti lidhur me arritjen e objektivave që nënvizoheshin nga Plani i Rimëkëmbjes i aprovuar nga qeveria gjatë hartimit: 1) reduktimi i humbjeve nga 45% në 28%, pagesa e detyrimeve të prapambetura tek KESH dhe ndaj prodhuesve më përparësi të energjisë, (nga 120 milionë euro në zero), pagesën e faturave të KESH gjenerimit nga OSHEE(shpërndarja) nga 40 për qind në 110 për qind), rritja e arkëtimeve nga OSHEE (nga 65% në 92%).

Reduktimi i varësisë së sektorit nga garancitë e qeverisë, marrëveshja për ristrukturimin e KESH me një kredi 218 milionë euro me mbështetjen e BERZH, prezantimin e ligjit të rifreskuar për energjinë sipas Paketës së 3 të Energjisë përfshirë zhvillimin e një tregu komercial në formën e një Burse për Shitje dhe Balancim, çka mundëson që edhe Kosova të bëhet pjesë e saj në të ardhmen. Këto janë arritjet më të dukshme të çdo sistem energjetik gjatë tre viteve të fundit” nënvizon BB.

Revista Monitor, 15.01.2018