Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

AKBN: Për 9-mujorin, 730 mijë ton naftë të prodhuara

Rreth 730 mijë ton naftë u prodhua gjatë 9-mujorit 2017 nga kompanitë e licencuara në vend. Të dhënat për TV SCAN bëhen me dije nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, referuar raportimeve të bëra nga vetë kompanitë që operojnë në tregun e prodhimit të naftës përmes Marrëveshjeve Hidrokarbure.

Peshën më të madhe e mban ‘Bankers Petroleum’, me rreth 643 mijë ton naftë të prodhuar në zonën e Patos –Marinës. Pas saj renditet Albpetrol, me 67.770 ton naftë,  ndërkohë që ajo që bie në sy është një rritje e ndjeshme e prodhimit në krahasim me një vit më parë, duke qenë se për gjithë 2016-ën kompania shtetërore prodhoi rreth 51 mijë ton.

Kjo kompani ndiqet nga Transoilgroup me rreth 16 mijë ton të prodhuara në vendburimin e Visokës. Ndërsa, një peshë më të vogël mbajë kompanitë e tjera të licencuara e më konkretisht TransAtlantic Albania me rreth 2000 ton, që reflekton një rënie të ndjeshme krahasuar me një vit më parë ku raportoi  mbi 49 mijë ton naftë të prodhuar dhe Sherwood International me 423 ton.

Ndërkaq, sa i takon blloqeve të lira të kërkimit, aktualisht në Blloqet 2 dhe 3, në tokë, operon kompania Shell, e cila pritet të nënshkruajë edhe një tjetër kontratë për bllokun 4 të kërkimit. Sipas AKBN, aktualisht Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk ka shpallur ndonjë fushatë të re promocionale për blloqet e lira të kërkimit, por ndërkohe kushdo që kërkon të investojë në Shqipëri është i mirëpritur të aplikojë, pasi vendi ynë është duke ndjekur politikën e “derës së hapur”.

Scan Tv,  15.01.2018