Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Marrëveshja e OPEC kërcënohet nga prodhimi në SHBA

Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht në sesionin e sotëm, pasi në njërën anë parashikohet një kërkesë e shëndetshme në 2018, ndërsa në anën tjetër parashikohet edhe një rritje e prodhimit të naftës argjilore në SHBA. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 58.5 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.8 dollarë për fuçi dhe po qendron pranë nivelit më të lartë që nga qershori i vitit 2015.

Që nga mesi i vitit 2017, nafta Brent është rritur me 47%, kryesisht për shkak të angazhimit të Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë. Marrëveshja ka hyrë në fuqi në janar të këtij viti dhe skadon në fund të vitit 2018. Ulja e prodhimit vjen në një kohë që kërkesa është përmirësuar ndjeshëm dhe analistët parashikojnë të prekë nivelin e 100 milionë fuçive në ditë, në vitin 2019.

Fitimet e dy bençmarkëve kryesorë të naftës janë kufizuar edhe nga pritshmëritë që tubacioni Forties do të fillojë punën në ditët e para të janarit, që do të rikthejë në treg rreth 450 mijë fuçi në ditë. Në terma afatgjatë, përpjekjet e OPEC dhe Rusisë për të rritur çmimet, mund të dëmtohen nga rritja e prodhimit të naftës argjilore në SHBA, që është rritur me rreth 16%, që nga mesi i vitit 2016, pranë 10 milionë fuçive, nivel i përafërt me Rusinë dhe Arabinë Saudite, dy prodhuesit më të mëdhenj në botë.

Scan Tv,  27.12.2017