Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skandali i arit

Një rast gjyqësor në Nju Jork “bën të dridhet” Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Tregtari i arit hedh dritë mbi gjithçka

 

Një gjykatë federale në Nju Jork mbase nuk është vendi i duhur për të akuzuar institucionet turke dhe mbi të gjitha, Presidentin turk, të cilin e ka kapur paniku. Por, Reza Zarrab, një tregtar ari 34-vjeçar, gjatë dëshmisë së tij pikërisht në këtë Gjykatë, i akuzuar për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Iranit, deklaroi se në këtë skemë, është e përfshirë edhe një bankë turke, madje edhe Presidenti i këtij vendi, Recep Tayyip Erdoğan, shkruan The Economist.

Ai rrëfeu edhe për ryshfetin që i kishte dhënë një ish-ministri të Ekonomisë i cili, së bashku me një ekzekutiv nga Halkbank dhe gjashtë të tjerë, janë të dyshuar në këtë rast. Në Turqi, një prokuror ka shpallur nën hetim një ish-prokuror dhe një prokuror aktual amerikan, ndërsa z. Erdoğan ka hedhur akuza të rënda kundër një sekti islamik që sipas tij, po përdor sistemin gjyqësor amerikan për të organizuar një grusht shteti kundër regjimit të vendosur nga ana e tij.
Si akuzat kundër tregtarit të arit, i cili u arrestua gjatë një udhëtimi në Florida në vitin 2016, ashtu edhe dëshmitë e tij për implikimin e disa zyrtarëve, nuk janë aspak befasuese për shumicën e qytetarëve turq.
Në vitin 2013, policia arrestoi në Turqi dhjetëra persona, duke përfshirë edhe vetë z. Zarrab, djemtë e tre ministrave të kabinetit dhe menaxherin e përgjithshëm të bankës, Halkbank.

Provat e asaj kohe u cilësuan si të pavërteta dhe z. Zarrab së bashku me zyrtarë të tjerë, u lanë të lirë. Njësoj si atëherë, edhe tani, z. Zarrab u akuzua për vënien në zbatim të një skeme pastrimi parash, e cila përfshinte konvertimin e të ardhurave nga shitja e gazit iranian në lingota ari në Turqi, duke i transportuar ato më pas në Dubai dhe duke i shitur kundrejt vlerave miliarda dollarëshe. Z. Erdoğan e cilësoi këtë hetim si një komplot nga një lëvizje e fshehtë islame, e njohur me emrin Gulenist, qëllimi kryesor i së cilës është rrëzimi i qeverisë së tij. Pas deklaratës së z. Erdoğan në lidhje me këtë çështje, ai shkarkoi mijëra Gulenistë nga radhët e Policisë dhe të Gjyqësorit, fillimi i një spastrimi që u përhap në përmasa të mëdha pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016.

Të shumtë janë qytetarët turq që ndajnë të njëjtën pikëpamje me Presidentin e tyre, se ky hetim është një komplot i Gulenistëve. Megjithatë, të paktë janë ata që bien dakord me dëshirën e madhe të Erdoğan për të groposur sa më parë të gjitha këto fakte që dolën në dritë.
Të gjitha akuzat rrezikojnë që të hedhin edhe më shumë baltë mbi figurën e z. Erdoğan.
Deri më tani, Presidenti turk është munduar që mbajë sa mundet të pastër figurën e tij, duke censuruar median e lirë. Dhe pikërisht edhe një ditë pasi z. Zarrab pranoi akuzën se i ka dhënë Zafer Caglayan, një ish-ministër të Ekonomisë, një ryshfet me vlerë më shumë se 60 milionë dollarë, si dhe deklaroi se ishte pikërisht z. Erdoğan, ai që urdhëroi edhe dy banka të tjera që të merrnin pjesë në këtë skemë, shumica e gazetave më të rëndësishëm të vendit, si dhe agjencia shtetërore e lajmeve, e censuruan historinë.

Një rast tjetër është edhe ai i pak ditëve më parë, kur lideri i partisë kryesore të opozitës akuzoi familjen e Erdoğan për transferta miliona dollarëshe në llogaritë offshore, kanali shtetëror i lajmeve e ndërpreu menjëherë transmetimin e drejtpërdrejtë.
Por rreziku më i madh i kanoset padyshim ekonomisë së Turqisë dhe bankave të saj. Në rast se këto akuza vërtetohen, atëherë gjoba që do t’i caktohet bankës Halkbank do të jetë e majme, shprehet Inan Demir, një ekonomist në Nomura Bank. Por deri më tani, Halkabnk i ka mohuar akuzat e përfshirjes në ndonjë transaksion të paligjshëm.
Gjatë një deklarate dhënë më parë, Presidenti Erdoğan, e cilësoi këtë çështje si “një përpjekje ndërkombëtare që fshihte pas një grusht shteti”.
Ministri i tij i Jashtëm ka pohuar faktin se mbështetësit Gulenistë kanë pushtuar institucionet e Amerikës, duke përfshirë gjykatat e saj, duke punuar si të infiltruar.

Prokurorët turq ndërkohë kanë konfiskuar pasuritë e z. Zarrab, duke përfshirë një avion privat dhe një pronë me vlerë rreth 80 milionë dollarë, hapën një hetim ndaj zyrtarëve amerikanë që e çuan atë në gjyq dhe lëshuan një urdhër arresti për një ish-ligjvënës të opozitës i cili duhet të paraqitet si dëshmitar.
Megjithatë, Turqisë mund të mos i mbetet zgjidhje tjetër përveçse të pranojë vendimin e gjykatës dhe të paguajë gjobat që do t’i caktohen.
Monedha e saj, lira, ka humbur më shumë se një të dhjetën e vlerës së saj kundrejt dollarit vitin e kaluar, pjesërisht për shkak të panikut të krijuar nga çështja e z. Zarrab, ku disa prej pasojave kryesore do të binin mbi bankat turke.
Mosrespektimi i gjobave amerikane do të bënte që lira turke të binte edhe më shumë. Z. Erdoğan mund të rrezikojë që t’i shtojë armiqësitë e tij me Amerikën, por vetëm në drejtim të monedhës vendase ai duhet të tregohet i kujdesshëm, shprehet një bankier turk. Lira është kontrolli i vetëm që ai ka mbi pushtetin.

Revista Monitor,  23.12.2017