Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Del në treg Tesla më e re, Model 3

Të kontrolluara – duke filluar që nga punonjësit e kompanisë prodhuese – kanë nisur dërgesat e Model 3, që përbën biletën hyrëse për në botën e Elon Musk. Tani për tani, megjithatë, çmimi është shumë më i lartë se 35.000 dollarët e premtuar. Dërgesat në Itali priten (ndoshta) në fund të vitit 2018

 

Më shumë se sa një debutim i vërtetë, kjo fazë e Tesla Model 3 është një varianti “beta”, me dërgesa të kontrolluara – duke filluar nga punonjësit e konstruktorit – dhe konfigurim të reduktuar në maksimum për të lehtësuar prodhimin fillestar. Jo se makina nuk është e pëlqyeshme: përkundrazi, në takimin e organizuar për prezantimin e 30 makinave të para, në fund të korrikut, porositë paraprake kanë kaluar 500.000, blerje “symbyllurazi”, me afate kohore të gjata. Konsumatorët europianë do të duhet të presin vitin 2018, ndoshta edhe 2019.

DEBUTIM ME DY VERSIONE

Duke pritur t’ju vijë radha, pronarët aspirantë mund të meditojnë lidhur me specifikimet dhe çmimet: kjo, për shkak se lista e çmimeve bazë amerikane – 35 mijë dollarë bruto e stimujve, të cilat gjithashtu do të përfundojnë shpejt – është minimumi i mundshëm. Model 3, e realizuar në një arkitekturë të posaçme, është 4.69 metra e gjatë, 1.93 metra e gjerë dhe 1.44 metra e lartë, ndërkohë që hapi është 2.87 metra. Versioni bazë, me një motor, traksion në rrotat prapa dhe bateri standard (kompania nuk e ka specifikuar kapacitetin, por flitet për rreth 50-55 kWh), ofron autonomi rreth 354 km (sipas vlerësimeve të EPA-s), 0-100 në 5.6 sekonda dhe shpejtësia maksimale 209 km/orë. Në Shtetet e Bashkuara, niveli i parë, megjithatë, do të jetë në dispozicion në vjeshtë: makinat që do të dorëzohen të parat, në fakt, do të jenë të pajisura me akumulator më të madh (70-75 kWh) dhe do të ofrohen 9.000 dollarë më shumë.

Në këtë rast, autonomia dhe shpejtësia maksimale rriten e shkojnë deri afro 500 km dhe 225 km/h, ndërkohë që përshpejtimi bie në 5.1 sekonda. Karikimi i baterisë standard: Tesla deklaron 209 km në 30 minuta me Supercharger (me pagesë) dhe 48 km ngarkim çdo orë, me anë të një prize 240 V, 32 Amper. Në rastin e baterisë long-range, autonomia rritet në 273 km, për gjysmë ore me Supercharger dhe thuajse 60 km për çdo orë me sistemin 240 V, 40 Amper. Kjo është e tëra: për versionet me dopjo motor (me karakteristika e autonomi më të lartë), si dhe për variantin Performance, duhet pritur viti 2018.

ÇMIME NЁ RRITJE

Brenda, Model 3, shfaqet minimaliste, e pajisur me një ekran të vetëm me prekje 15 inç, të vendosur mbi tunelin qendror: heqja dorë nga paneli tradicional i instrumenteve, përbën një zgjidhje ekstreme, e cila pasqyron autonominë e lartë të makinës, të paktën sipas Musk. Në këtë fushë, Model 3, ofron shtatë kamera, një radar përpara dhe 12 sensorë me ultratinguj. Funksionet bazë përfshijnë frenimin automatik në raste emergjente, si dhe sistemin për shmangien e përplasjeve, por për të hyrë në fazën me sistem Autopilot, duhet të kalohet tek opsionet (shiko foton anash). Një botë tjetër, larg konceptit të makinës elektrike për të gjithë, dhe me konfigurime mesatare mbi 50.000 dollarë, janë çështje që blerësit italian do t’i duhet t’i ketë parasysh: në fakt, vlerësimet e para flasin për një çmim prej rreth 40-45 mijë euro.

OPSIONE PREMIUM

NË SERI, Model 3 ofron ngjyrën Solid black (pesë alternativat kushtojë një mijë dollarë), drita plotësisht LED, disqe 18 inç (për ata që i duan 19 inç, çmimi është 1500 dollarë), wi-fi, lidhje Lte, kamerë të pasme, komanda zanore, sistem hapje pa çelës me anë të aplikacioneve, si dhe sistem hardware për asistencën në drejtim. Nga këtu, mundet – mbase është rasti – të kërkohen edhe opsione premium: me një shtesë 5.000 dollarë, Tesla ofron një paketë pajimesh të brendshme me çati qelqi, materiale prestigjioze, rregullues timoni, pasqyra të pasme dhe sedilje me ngrohje, impiant audio të veçantë dhe drita Led kundër mjegullës, ndërkohë që drejtimi gjysmë-autonomik, kërkon 5.000 dollarë të tjerë. Në këtë rast, merret versioni i fundit i sistemit Autopilot, që përfshin cruise control adaptive, ruajtje dhe ndërrim automatik të korsisë, menaxhim të hyrje-daljeve në autostradë dhe parkim të robotizuar. Së fundi, mundësia për drejtim 100% autonom, e cila është lënë për një moment të dytë, ende të papërcaktuar (dhe në varësi të normativave të veçanta), do të kushtojë 3.000 dollarë të tjerë, një lloj paradhënie për të ardhmen.

Revista Monitor,  19.12.2017