Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TEC Kosova e Re, lajm i mirë për Kosovën

Njohësi i çështjeve ekonomike, Naim Gashi konsideron se marrëveshje për ndërtimin e Termocentralit  “Kosova e Re”, është një lajm i mirë për Kosovën.

Gashi theksoi,  se Kosova është vendi më i pasur në Evropë, dhe është fatkeqësi që stabiliteti energjetik të varet nga importi, ndërsa shpreh optimizmin e tij se kjo marrëveshje t’i ketë parasysh standardet ndërkombëtare mjedisore dhe koston e ulët të furnizimit për qytetarët.

“Ndonëse në opinionin publik nuk janë prezantuar detajet e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit të ri, jam i mendimit se ky është një lajm i mirë për Kosovën.

Kosova është vendi më i pasur në Evropë me linjit për kokë banori, dhe është fatkeqësi që stabiliteti ynë energjetik varet shpesh herë nga importi i energjisë.

Shpresoj që marrëveshja për ndërtimin e termocentralit të ketë parasysh standardet ndërkombëtare mjedisore dhe koston e ulët të furnizimit për qytetarët. Vendimi i qeverisë vjen pas një fushatë agresive të organizuar nga disa organizata joqeveritare që kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit me thëngjill “Kosova e Re” dhe “brengosen për ndotjen e mjedisit”, por paradoksalisht ato në të njëjtën kohë kundërshtojnë edhe tarifat e larta të energjisë.

Pretendimi i këtyre “patriotëve mjedisorë” për energji të ripërtërishëm në një vend që shtrihet mbi basene thëngjilli është fals”, ka thënë ai.

Kurse, energjia e ripërtërishme sipas njohësit të ekonomisë, është zgjidhja më e mirë.

“Energjia e ripërtëritshme është alternativa më e mirë, por fatkeqësisht këtë kapacitet energjetik vendi ynë nuk e posedon.

Energjia me erë dhe me ujë edhe sikur të ekzistonte do të ndikonte në rritjen e çmimeve të energjisë nga tri deri në dhjetë herë, por ky fakt fshihet nga opinioni publik gjatë fushatës së “patriotëve mjedisorë”.

Nëse duam energji pandërprerë, me çmime të ulëta, atëherë ekziston vetëm një alternativë, ndërtimi i termocentralit të ri me linjit, sepse ky është resursi i vetëm energjetik që e posedojmë.

Fëmijët tanë përveç që kanë nevojë për një mjedis të pastër, ata kanë nevojë edhe për zhvillim ekonomik, rritje të vendeve të punës, përmirësim të kualitetit të jetës, dhe kjo nuk mund të bëhet derisa ne nuk e kemi të zgjidhur problemin e furnizimit me energji, që i paraprinë zhvillimit ekonomik”, është shprehur ai.

Më tej Gashi,  tha se ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, nuk do të thotë që do të ndotet ajri në Kosovë, përkundrazi sipas tij ndërtimi i termocentraleve ndodhë me kritere të vendosura nga Bashkimi Evropian, kritere këto të cilat reduktojnë ndotjen e ajrit për dhjetë herë.

“Ndërtimi i termocentralit të ri nuk nënkupton se ne doemos do ta ndotim mjedisin. Kriteret mjedisore të aplikuara nga Bashkimi Evropian gjatë ndërtimit të termocentraleve të reja, reduktojnë ndotjen dhjetëra herë, në krahasim me ndotjen aktuale që ekziston në Kosovë.

Gjermania si njëra ndër fuqitë kryesore në botë që ka standarde të ashpra mjedisore, ka vendosur për kthimin në jetë të termocentraleve me thëngjill dhe de aktivizimin e atyre me energji bërthamore.

Nëse ekziston një shtet në glob që kujdeset më së shumti për mjedisin, ajo është Gjermania, prandaj kthimi në funksion i termocentraleve në këtë shtet nuk do të thotë se gjermanët po heqin dorë nga kriteret mjedisore, përkundrazi, Gjermania planifikon uljen e përqindjes së ndotjeve të mjedisit me CO2”, ka përfunduar ai.

Ndërkaq, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbajti sot mbledhjen e Komitetit Drejtues për Termocentralin “Kosova e Re”.Në këtë takim ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e kompanisë amerikane “Contour Global”, u arrit marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”.

Marrëveshja komerciale pritet që të nënshkruhet ditët e ardhshme dhe me të në Kosovë do të investohen mbi 1 miliardë euro, gjë që paraqet investimin më të madh në historinë e re të Kosovës.Pas finalizimit, ky projekt do të sigurojë pavarësinë energjetike për shtetin dhe popullin e Kosovës.

Termocentrali do të ndërtohet me një bllok të vetëm superkritik, me efiçiencë minimum 40% dhe kapacitet elektrik bruto prej 500 MË.Termocentrali i ri do të fillojë të ndërtohet në vitin 2018 dhe do të jetë funksional që nga viti 2023, do të jetë i ndërtuar me fjalën e fundit të teknologjisë dhe në këtë mënyrë do të reflektojë në uljen e emetimit të gazrave, respektivisht në ruajtjen e mjedisit.

Gazeta Zëri,  14.12.2017