Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mbyllet tubacioni i naftës në Detin e Veriut

Nafta Brent e Londrës është rritur me rreth 1.5%, gjatë sesionit të djeshëm, duke prekur sërish nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2015, pasi mbyllja e tubacionit Forties në Detin e Veriut, shkaktoi një mungesë të konsiderueshme të naftës në treg, që i shtohet shkurtimit të prodhimit nga OPEC. Për këtë arsye, nafta Brent po tregtohet në rreth 65.7 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga qershori i vitit 2015.

Në anën tjetër, nafta Bruto amerikane po realizon fitime më të ulëta, dhe tregtohet në rreth 58.4 dollarë për fuçi. Analistët shprehen se, tendenca e çmimeve mund të vijojë në rritje, për shkak se tubacioni në Detin e Veriut do të qëndrojë i mbyllur për disa javë. Ky tubacion është një komponent i rëndësishëm, që mbështet naftën Brent. Tubacioni britanik, Forties, që ka një kapacitet prej 450 mijë fuçi në ditë, u mbyll në mbrëmjen e së hënës, për shkak se u evidentuan disa të çara.

Rritja e çmimit të naftës Brent ka zgjeruar edhe diferencën mes dy bençmarkëve kryesorë, në rreth 7 dollarë, nivelin më i lartë që nga maji i vitit 2015.

Fakti që nafta Bruto amerikane është më e lirë, ndikohet edhe nga rritja e prodhimit në SHBA, në rreth 9.71 milionë fuçi në ditë, niveli më i lartë që nga vitet 1970. Rritja e prodhimit amerikan ka kërcënuar edhe përpjekjet e OPEC për të balancuar tregun, nëpërmjet shkurtimit të prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë.

Scan Tv,  13.12.2017