Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH, nën lupën e audituesve të jashtëm

Pasqyrat financiare të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare do të vihen nën lupën e auditimit nga një ekip auditorësh të lartë, duke nisur nga viti i ardhshëm. Për procesin e auditimit të bilanceve për vitet 2017, 2018 dhe 2019, shoqëria ka vënë në dispozicion një fond prej 29 milionë lekësh.

Qëllimi i KESH është të mundësojë që audituesi të japë një opion mbi pasqyrat financiare të konsoliduara, duke treguar nëse ato paraqesin me vërtetësi operacionet financiare gjatë viteve ushtrimore.

Audituesi, i cili duhet të ketë të paktën 5 ekspertë me njohuri të sistemit në Shqipëri, do të përgatisë edhe një letër manaxhimi,  ku do të identifikohen të metat dhe rekomandohen masa për përmirësime.

Një nga arsyet e kërkesës së këtij shërbimi, është edhe nevoja për monitorim nga ana e huadhënësve si Banka Botërore, mbi projekte si ai i Gjenerimit dhe Ristrukturimit të Sektorit Energjitik.

Grupi i punës nuk duhet të ketë asnjë konflikt interesi me KESH, ndërsa informacioni i kërkuar nga grupi i punës do të vendoset në dispozicion nga shoqëria KESH sh.a. vetëm ndaj anëtarëve të grupit të punës, të cilët do të jenë të vetmit persona të titulluar dhe autorizuar për auditimin e tyre.

Megjithatë kontrata nuk do të jetë e pakushtëzuar. Audituesi duhet të dorëzojë raportin e auditimit brenda 30 ditëve nga marrja në dorëzim e pasqyrave financiare dhe vetëm pas pajisjes me vërtetim nga KESH do t’i lindë e drejta për të vazhduar kontratën.

Tenderi për këtë shërbim do të qëndrojë i hapur deri më datë 5 Janar 2018, afat pas të cilit do të bëhet përzgjedhja e operatorit ekonomik fitues.

Scan Tv,  13.12.2017