Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KESH rrit prodhimin për të përballuar shiun e fundjavës

Korporata Elektoenergjetike Shqiptare ka dalë sërish në treg të lirë për të shitur 38 500 MWh energji në datat 8-14 dhjetor 2017. Kërkesa e saj është për të shitur në dy lote, ku në të parin është parashikuar një sasi prej 28 000 MWh energji në profilin 06:00-22:00, kurse loti i dytë përfshin një sasi prej 10 500 MWh në orare të kombinuara me një total prej 10 orësh furnizim.

Burime pranë KESH bënë me dije për Monitor se kjo sasi që do të hidhet në treg do t’u paraprijë reshjeve të tjera që janë parashikuar këtë fundjavë. “Nga parashikimet e këtyre ditëve pritet që e shtuna, e hëna dhe e marta të jenë ditë me shi në zonat e Pukës, Thethit dhe Valbonës duke ndikuar direkt në prurjet që do të kemi në Koman. Ne duam që t’i dalim para kësaj situate, duke prodhuar këto ditë në nivele të tilla që të bëjmë shfrytëzim me eficencë të prurjeve që do të marrim” pohuan të njëjtat burime.

KESH duket se është gjendur në një situatë të vështirë, që e ka detyruar të dalë në treg për një sasi të konsiderueshme, pasi edhe me aktorë të tjerë ku së pari Korporata Elektroenegjetike e Kosovës me të cilën ka një marrëveshje depozitimi, ka kërkuar që të mos marrë më energji.

“KEK duhet që të ndalë punën në termocentral që të furnizohet me një sasi nga ne, por kjo ka kostot dhe procedurat e veta dhe duket se ata kanë gjykuar që për momentin nuk mund të marrin energji nga KESH” pohojnë burimet.

Nga ana tjetër ka pasur rënie të konsumit në vend çka ka bërë që edhe kërkesa e OSHEE nga kompania publike e gjenerimit të jetë më e moderuar. Fillimisht ishte konfirmuar për një sasi prej 141 mijë MWh që KESH do t’i kalonte OSHEE-së që llogaritet diku tek 4500 MWh në ditë. Por rënia e konsumit ka bërë që OSHEE të kërkojnë vetëm 1600 MWh energji në ditë, duke bërë që KESH të kalojë në treg të lirë sasinë që mbetet e pa tërhequr nga OSHEE.

Revista Monitor,  09.12.2017