Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Raporti: Të detyruar të importojmë energji

Rrjeti europian i operatorëve të sistemeve të transmetimit ka publikuar së fundmi projeksionet për dimrin 2017/2018, sa i përket kapacitetit energjetik. Paçka se, Shqipëria nuk është pjesë e rrjetit, vendi ynë merret në analizë.

Ky lloj publikimi është periodik, dhe bëhet çdo vit në prag të stinës së dimrit. Sa i përket Shqipërisë dhe dimrit që po vjen, raporti arrin në përfundimin se, nuk priten rreziqe të papritura që mund të kërcënojnë mjaftueshmërinë e sistemit.

Gjenerimet hidrike, pra reshjet, si dhe kontratat e importit do ta përmbushin këtë mjaftueshmëri thuhet në raport. Sistemi i ka të gjitha kapacitetet për import, apo edhe eksport në rast se do të ketë nivele të larta hidrike, thuhet më tej.

Sa i përket niveleve të importit, rrjeti europian i operatorëve të sistemeve të transmetimit, nënvizon se do të jenë në rreth 300 deri në 400 MW. Në raport vihet theksi gjithashtu edhe te thatësira e tejzgjatur e muajve të verës, që shkaktoi një situatë të papritur sa i përket mjaftueshmërisë së energjisë.

Nëpërmjet një tjetër ilustrimi ndërkohë, raporti tregon se, Shqipëria është i vetmi vend i marrë në analizë të cilit i nevojiten patjetër importet nga pikëpamja e mjaftueshmërisë.

Ngjyra lejla tregon pikërisht importet dhe në Shqipëri gjatë muajve të dimrit është e vazhdueshme. Këtë e përforcon edhe më tej një tjetër grafik, që tregon se në javën e fundit të Dhjetorit dhe në javët e para të Janarit, situata është më kritike, pasi ka një deficit prej rreth 0.3 GW-në kushte normale moti, dhe deri në 0.6 GW në kushte ekstreme.

Po ta krahasojmë këtë grafik me atë të vitit të kaluar, atëherë arrijmë në përfundimin se, situata është përkeqësuar ndjeshëm sa i përket mjaftueshmërisë. Një vit më parë, Shqipëria nuk ishte e detyruar të importonte çdo javë të muajve të dimrit, gjë që duket edhe nga grafiku, e as nuk ishte e detyruar të importonte sasi aq të mëdha.

Këtë vit ndërkohë, prodhimi vendas duket se nuk do të jetë aspak i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën për energji.

Scan Tv,  05.12.2017