Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Linja 400 kv, Maqedonia ka gati zbatimin

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit i Maqedonisë njoftuan çeljen e procedurës së prokurimit për konsulentin që do të asistojë njësinë e menaxhimit të projektit për linjën 400 kilovolt Maqedoni-Shqipëri. Pala maqedonase ia ka dalë të jetë disa hapa para lidhur me procedurat sa i takon pjesës së saj.

Referuar njoftimit të BERZH, konsulenti do të japë ndihmën e tij gjatë fazës së parë  të projektit ndërkohë që në total, puna për ndërtimin e linjës nga Manastiri (Bitola) në Maqedoni deri në kufi do të përfundojë në harkun e 40 muajve. Projekti për Maqedoninë  do të financohet nga kredia e BERZH në një shumë prej 49 milionë eurosh.

E ndërsa për Maqedoninë, projekti ka hyrë në fazën e përparuar të prokurimeve, Shqipëria arriti që vetëm më 9 nëntor, pra më pak se një muaj më parë të miratojë marrveshjen me KfW, banka gjermane e cila sikurse ka mbështetur edhe më herët, do mbështesë edhe këtë herë ndërtimin e një linje 400 kv. Marrveshja parashikon mbështetjen me 50 milionë euro të qeverisë shqiptare për të ndërtuar linjën me Maqedoninë (Fier-Elbasan-Qafë Thanë).

Sipas marrëveshjes, gjithçka duhet të jetë mbyllur brenda 2020.

Tashmë me kalimin e kësaj hallke pritet që qeveria dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit të vijojnë me procedurat e prokurimit.

Maqedonia mbetet i vetmi vend me të cilin Shqipëria ende nuk ka nje linjë transmetimi të lartë prej 400 kv dhe mbyllja e saj plotëson gjithë lidhjet e tjera të vendit në tregun energjetik rajonal. Problematike mbetet ndërkohë linja 400 kv me Kosovën, e cila edhe pse ka përfunduar prej kohësh nuk është vënë asnje ditë në punë për shkak të ngërçit politik mes Serbisë dhe Kosovës.

Revista Monitor,  04.12.2017