Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bursa e energjisë, gati projektligji për operatorin e tregut

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka depozituar në Kuvend projektligjin që parashikon ndryshime në sektorin energjetik, duke i hapur rrugën krijim të Bursës së Energjisë, sikurse parashikon modeli i tregut.

Ngritja e saj duhet të ishte bërë tashmë, por sikurse ka vlerësuar edhe Sekretariati i Komunitetit të Energjisë situata politike gjatë 2017-ës vonoi gjithë procesin, duke i kërkuar ministrit përgjegjës vendosjen e një afati të ri para përfundimit të vitit 2017.

Ndërkaq, sipas draftit, operatori i tregut apo bursa do të jetë një shoqëri aksionere që do të ngrihet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe persona të tjerë juridikë.

Gjithashtu, parashikohet se subjektet private që do marrin pjesë në kapitalin aksionar të operatorit të tregut duhet të jenë subjekte me aktivitet ndërkombëtar, me reputacion të mirë dhe me përvojë të gjatë në operimin e tregjeve të ngjashëm të organizuara të energjisë në Evropë, të cilat operojnë në përputhje me modelin shqiptar të tregut.

Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin në kuvend, operatori i tregut do të ketë të drejtën për të kontraktuar palë të treta, për t’i siguruar ofrimin e shërbimeve në funksion të operimit të platformës elektronike të tregut në bazë të ditës në avancë dhe brenda së njëjtës ditë, si dhe për shërbimet e lidhura me të, përfshirë aktivitetin e kompensimit financiar (clearing) mes pjesëmarrësve të tregut.

Krijimi i Bursës së Energjisë është i rëndësishëm për shkak të karakteristikës së prodhimit të energjisë në Shqipëri, që aktualisht është 100% me energji hidrike, ndërsa është pika e fillimit për liberalizimin e tregut të energjisë.

Me ngritjen e saj synohet përmirësimi i shfrytëzimit i sistemit total të prodhimit dhe të transmetimit, çka do të thotë se të gjithë centralet do të renditen sipas meritës.

Gjithashtu, optimizohet përdorimi i kapaciteteve transmetuese ndërkufitare, rritet siguria e furnizimi dhe hapet rruga për ofrimin efikas të shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit. Po ashtu, mundësohet shitja ndërkufitare e këtyre shërbimeve si dhe sigurohet akses në treg për konsumatorët.

Nga ana tjetër, përmirësohet klima e investimeve për projektet e reja të energjisë si dhe rritet transparenca dhe disiplina financiare në tregtimin e energjisë.

Scan TV,  04.12.2017