Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rekomandimet e konkurrencës për tregun e ri të gazit

Autoriteti i Konkurrencës i ka dhënë disa Entit Rregullator të Energjisë lidhur me procedurat për miratimin e licencës për aktivitetin e shpërndarjes së gazit natyror, ku ka kërkuar më shumë transparencë dhe publikim informacioni për investimet e planifikuara dhe mënyrën e funksionimit të këtij tregu. “Duke marrë në konsideratë që tregu i gazit natyror është një treg që sapo ka filluar të zhvillohet, përcaktimi i rolit, funksionit dhe kushteve të operatorit/operatorëve për zhvillimin e aktivitetë tregtimit, sipas niveleve të tregut është shumë i rëndësishëm për konkurrencën dhe eficencë në treg”, thotë Konkurrenca.

Në draft – licencën e publikuar është përcaktuar se Enti Rregullator i Energjisë e jep Licencën e Shpërndarjes së Gazit Natyror, për kryerjen e aktivitetit të Shpërndarjes së Gazit Natyror në një zonë gjeografike të caktuar dhe një personi apo subjekti të caktuar. Licenca së bashku me kushtet e saj, do të ketë efekt për një periudhe 30 vjeçare.

Nga shqyrtimi dhe vlerësimi i draft-licencës së publikuar, Autoriteti i Konkurrencës ka konstatuar se:

– Në parashikimet e pikës 4.6 të draft-licencës, ku përcaktohen investimet që do të kryejë i  licencuari, nuk janë të qarta përgjegjësitë e të licencuarit në rast të mos përmbushjes së detyrimeve për kryerjen e investimeve të planifikuara për rrjetin e shpërndarjes. Realizimi i investimeve të planifikuara është një element shumë i rëndësishëm, që ndikon në cilësinë e shërbimit të shpërndarjes apo edhe në aksesin e përdoruesve të rrjetit, për tregun e gazit natyror. Nëse kapacitetet e rrjetit të shpërndarjes, impiantet e përpunimit, apo pikat lidhëse nuk do të përballojnë kërkesat e tregut sipas planifikimeve, atëherë mund të krijohen probleme dhe shqetësime për funksionimin e tregut, aktorëve të tregut, konkurrencën në treg, përfshirjen e kostove të investimeve të planifikuara në tarifën e shpërndarjes, etj.

Investimet në sistemin e shpërndarjes së gazit natyror, i cili supozohet të jetë një operator i vetëm në një zonë gjeografike të caktuar, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e sistemit të shpërndarjes dhe të tregut të gazit natyror, megjithëse modeli i tregut të gazit natyror ende nuk është miratuar.

Në draft-licencë nuk është parashikuar raportimi nga i licencuari dhe monitorimi periodik nga ERE, për realizimin e investimeve të planifikuara dhe të miratuara.

– Në parashikimet e pikës 4.10 përcaktohet ndër të tjera se “…..në qoftë se i Licencuari është një kompani vertikalisht e integruar në sektorin e gazit natyror, ai do t’i ndajë llogaritë e tij financiare sipas aktiviteteve të prodhimit, Transmetimit, Shpërndarjes, operimit në hapësirat e depozitimit të gazit natyror, Tregtimit, Furnizimit dhe operimit në impiantet e GNL-së; në mënyrë të tillë që të provojë në mënyrë të besueshme pranë ERE-s dhe çdo autoriteti tjetër, të ngarkuar me ligj, se nuk ka ndër-subvencionime, nuk cënohet konkurrenca dhe nuk ka diskriminim”. Por, për kompanitë vertikalisht të integruara, duhet të merren në konsideratë gjithë parashikimet e nenit 51 të ligjit Nr. 102/2015 “Për Sektorin e Gazit Natyror” si edhe parashikimet e nenit 26 “Unbundling of distribution system operators” të direktivës 73/2009/EC të datës 13.07.2009 “Lidhur me rregullat e përbashkëta për tregun e brendshëm të gazit natyror”.

– Në draft-licencën e paraqitur nuk është parashikuar detyrimi i të licencuarit për të publikuar të dhënat e rrjetit të shpërndarjes për përdoruesit e tregut, të cilat japin informacione të vlefshme për operatorët e tregut dhe përdoruesit e rrjetit të shpërndarjes, në tregun e gazit natyror, të tilla si kapacitetet e rrjetit të shpërndarjes në zonën përkatëse, hapësirat e depozitimit, të përpunimit, pikat lidhëse me rrjetin e transmetimit, pikat hyrëse dhe dalëse në rrjet dhe çdo informacion tjetër për tregun.

Për këto arsye, Konkurrenca rekomandon që në draft-licencën e operatorit të shpërndarjes së Gazit Natyror të parashikohet raportimi  i vazhdueshëm nga ana e të licencuarit dhe monitorimi i vazhdueshëm mbi realizimin e investimeve të planifikuara duke parashikuar sanksione në rast mosrealizimi. Gjithashtu duhet të përcaktohet në draft licencë, detyrimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së gazit natyror, që të publikojë të gjithë të dhënat lidhur me tregun e shpërndarjes, të cilat ndihmojnë operatorët e tregut dhe përdoruesit e rrjetit, për të patur gjithë informacionin e nevojshëm për rrjetin e shpërndarjes në tregun e gazit natyror.

Në rekomandimet e tjera Konkurrenca thotë se në draft-licencë nuk është parashikuar se si do të veprohet me faturimin e sasisë së gazit natyror të konsumuar, pra duhet parashikuar fatura e detajuar apo transparenca në faturim. Gjithashtu nuk është parashikuar publikimi i të dhënave mbi tregun, operatorëve të tregut dhe historikun e furnizimit nga operatori i shpërndarjes së Gazit Natyror.

Në draft-licencë nuk është parashikuar regjistrimi i dyfishtë i faturave të shpenzimeve për aktivitetet e të licencuarit, pra nëse operatori i furnizimit është i licencuar edhe në aktivitete të tjera, faturat që pasqyrojnë shpenzimet e kryera duhet të jenë qartësisht të ndara dhe të evidentueshme për çdo aktivitetet që kryen operatori i licencuar, si edhe duhet parashikuar ndarja e pronësisë për çdo aktivitet të licencuar.

Konkurrenca thekson se edhe modeli i tregut të gazit natyror ende nuk është miratuar, dhe tregu i gazit natyror është në fazat fillestare të zhvillimit të tij.

Kushtet dhe veprimtaria e të licencuarit për tregtim të gazit natyror duhet të përputhen me parashikimet e Modelit të Tregut të Gazit Natyror, i cili ende nuk është miratuar.

Në draft – licencën e paraqitur nuk është i qartë parashikimi për tregun primar dhe tregun sekondar.

Tregu i shpërndarjes së gazit

Tregu i shpërndarjes së gazit natyror pritet të zhvillohet pas përfundimit të investimit të gazsjellësit TAP dhe hartimit të një mastërplani që synon zhvillimin e një sistemi të qëndrueshëm të gazit natyror dhe krijimit të rrjeteve të shpërndarjes së tij.

Sipas këtij masterplani, nga 376 njësi administrative vendore janë përzgjedhur 85 prej tyre që kanë potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes të gazit. Kërkesa nga këto 85 njësi vendore përbën rreth 77% të totalit të parashikuar për Shqipërinë për vitin 2020 dhe 82% të totalit për vitin 2040. Masterplani thekson se për të gjetur pjesën e kërkesës së mundshme në këto 85 njësi vendore, e cila mund të shpërndahet në mënyrë ekonomike, është kryer një analizë teknike dhe financiare.

Janë pesë degë të propozuara për transmetimin

– Dega Veriore, duke filluar nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit) në drejtim të Shkodrës dhe pikës së kalimit kufitar me Malin e Zi;

– Dega e Elbasanit, që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit), kalon nëpërmjet Lushnjës dhe Dumresë dhe mbaron në Elbasan;

– Dega Jugore që furnizon zonat e Fierit, Vlorës, Ballshit, Tepelenës dhe Gjirokastrës;

– Dega Lindore që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Korçës) drejt Pogradecit, Përrenjasit dhe drejt ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë;

– Dega e Kosovës, që fillon nga Miloti dhe përfundon në pikën kufitare të Morinës, në afërsi të Kukësit.

Revista Monitor,  02.12.2017